Projektligji kalon në Kongres, SHBA kërkon përgjegjësi nga Beogradi për trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar të mërkurën vonë për ta çuar përpara një projektligj, i cili do t’i kërkonte Sekretarit amerikan të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës lidhur me trajtimin e pakicave etnike në Serbi, posaçërisht te shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës.

Me 43 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim kaloi ky projektligji i sponsorizuar nga kongresisti republikani Keith Self.

Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve.

Më pas, ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Projektligji kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Çështja e diplomave është rregulluar me disa marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe me një marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Kosova i ka respektuar këto marrëveshje.

Politikanë shqiptarë në Serbi e përshëndetën vendimin e Komitetit për avancimin e projektligjit.

Shaip Kamberi, përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, shkroi në Facebook se “një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e përshkroi vendimin e Komitetit si “mesazh i qartë për Beogradin”.

“Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës. Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme. Një betejë e gjatë. Me durim, këmbëngulje dhe besim”, shkroi ajo në Facebook.

Për çka ankohen shqiptarët?
Shqiptarët e Luginës shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, teksa zyrtarët në Qeverinë e Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre akuzave.

Rasti i pasivizimit të adresave është një çështje për të cilën ata janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë ankohen edhe për mungesë të teksteve shkollore në gjuhën shqipe, për çfarë Qeveria e Kosovës shpesh u ka ndarë të holla.

Kosova i ka ndihmuar ata edhe në fusha të tjera, si bujqësi, por është ankuar se Serbia po i bllokon pagesat.

Ndërkohë, vendimi i Qeverisë serbe për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak po ashtu ka ngjallur frikë në mesin e shqiptarëve atje, të cilët thonë se kanë përvoja të hidhura nga e kaluara.

Në fund të vitit të kaluar, deputeti Kamberi bëri kërkesë për themelimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për t’i hetuar rastet e vdekjes së ushtarëve shqiptarë në ushtrinë e atëhershme jugosllave gjatë viteve ’80.

Në kërkesë, Kamberi thekson se në Luginën e Preshevës ekziston shqetësim për thirrjen e mundshme të të rinjve shqiptarë për ta kryer shërbimin ushtarak, “pasi e kaluara dhe pasojat e saj ende ndikojnë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve”.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e Luginës dhe shteti serb kanë arritur tri marrëveshje – më 2001, 2007 dhe 2013 – që parashohin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por nuk janë bërë lëvizje në zbatimin e tyre.

Integrimi i shqiptarëve në institucione është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20.000 shqiptarëve prej këtij rajoni, kryesisht drejt shtetit të Kosovës.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Trump publikoi fotografi ku Kanadaja dhe Grenlanda shihen si pjesë e Amerikës

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar politikën e zgjerimit territorial, duke shpërndarë fotografi në rrjetin e tij social Truth Social që sugjerojnë kontroll amerikan...

Trump i drejtohet Danimarkës: Pa ne, sot do të flisnit gjermanisht dhe pak japonezisht

Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror, Donald Trump e kritikoi ashpër Evropën, lavdëroi performancën ekonomike të SHBA-së dhe ringjalli idenë për blerjen...

Drejtoria e të Ardhurave Publike nën llupë: Dyshime për bashkëpunim të nëpunësve në evazion tatimor

Inspektorë tatimorë, zëvendësit e tyre, udhëheqës të sektorëve të ndryshëm në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) gjatë tre viteve të fundit kanë qenë...

Mediat serbe raportojnë për takim të mundshëm Kosovë–Serbi sot në Bruksel

Mediat serbe kanë raportuar se një delegacion nga Beogradi, i udhëhequr nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq, ka mbërritur mbrëmë në Brukseli, ku sot pritet...

Flamujt rusë në Ujman ngrenë alarmin e sigurisë – festë fetare apo provokim i orkestruar?

Prania e flamujve dhe simboleve të Federatës Ruse gjatë një feste fetare ngre pikëpyetje serioze mbi mesazhin politik që bartin këto manifestime. A kemi...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu