Edhe pse nuk dha detaje konkrete mbi përmbajtjen e negociatave, presidenti sirian la të kuptohet se një hap i parë drejt një marrëveshjeje mund të shpallet shumë shpejt
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, deklaroi se negociatat e sigurisë me Izraelin janë në një fazë të ndjeshme dhe mund të sjellin rezultate “në ditët në vijim”.
Deklarata e tij erdhi pas raportimeve për një marrëveshje të përbashkët mes Sirisë, Jordanisë dhe Shteteve të Bashkuara, e cila lidhet me situatën e tensionuar të sigurisë në rajonin e Suwayda-s, në Sirinë jugore.
Prej korrikut, Suwayda është kthyer në një vatër përplasjesh mes Ushtrisë siriane, milicive lokale tribale dhe formacioneve të armatosura të përbëra kryesisht nga luftëtarë druzë, të cilët sipas burimeve të ndryshme gëzojnë mbështetje nga Izraeli.
Al-Sharaa nënvizoi se “garancitë e sigurisë” dhe angazhimet ndërkombëtare janë kyçe për të arritur stabilitetin në zonë, duke shtuar se bisedimet kanë marrë një intensitet të ri pas përfshirjes së drejtpërdrejtë të Uashingtonit dhe Amanit.
Edhe pse nuk dha detaje konkrete mbi përmbajtjen e negociatave, presidenti sirian la të kuptohet se një hap i parë drejt një marrëveshjeje mund të shpallet shumë shpejt.