Stamboll, 1 Korrik 2025 – Tensione të forta janë regjistruar në qendër të Stambollit pas publikimit të një karikature të dyshuar si ofenduese për profetin Muhamed nga revista satirike LeMan. Incidenti solli përleshje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa autoritetet turke kanë arrestuar disa anëtarë të stafit të revistës dhe kanë urdhëruar bastisjen e zyrave të saj.
Sipas kryeprokurorisë së Stambollit, hetimet nisën pas botimit të 26 qershorit të revistës, ku u publikua një karikaturë që “fyeu publikisht vlerat fetare”. Janë lëshuar urdhër-arreste ndaj disa drejtuesve të LeMan, ndërsa 31 persona janë arrestuar deri më tani për zjarrvënie të qëllimshme, në kontekstin e trazirave që pasuan.
Pamjet e karikaturës, të shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë dy figura që fluturojnë mbi një qytet në bombardim. Njëri prej tyre prezantohet si Muhamed, tjetri si Musa. Sipas kryeredaktorit Tuncay Akgun, imazhi është keqinterpretuar dhe nuk përfaqëson profetin Muhamed, por një mysliman të quajtur Muhamed që u vra gjatë sulmeve në Gaza.
“Ne kurrë nuk do të bënim një karikaturë që do të fyente profetin. Është një emër që mbajnë mbi 200 milionë myslimanë në botë”, u shpreh Akgun për AFP-në, duke shtuar se situata është përdorur për qëllime politike dhe represioni.
Pas lajmit për arrestimet, qindra protestues u mblodhën para një kafeneje të frekuentuar nga punonjësit e LeMan, duke u përplasur me forcat e policisë. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se është arrestuar karikaturisti përgjegjës, dizajneri grafik i revistës dhe dy anëtarë të tjerë të stafit. Ndërkohë, zëdhënësi i Presidencës, Fahrettin Altin, deklaroi se po kërkohen edhe drejtues të tjerë të revistës.
Revista LeMan në një deklaratë në platformën X (ish-Twitter) mbrojti karikaturën, duke theksuar se ajo është keqinterpretuar me qëllim nxitjen e provokimeve. Ajo u përpoq të paraqiste drejtësi për myslimanët e shtypur, thuhej në deklaratë.
Akgun e quajti të tronditshme dhe të papranueshme krahasimin e situatës me rastin e revistës franceze Charlie Hebdo, ku në vitin 2015 u vranë 12 persona në një sulm terrorist pas publikimit të një karikature të profetit Muhamed.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.