“Nuk jemi nga ata që tremben” – Sharaa i vendosur pas sulmeve izraelite

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë të enjten se mbrojtja e qytetarëve druzi dhe të drejtave të tyre është “prioritet”, derisa Izraeli u zotua se do t’i shkatërrojë forcat qeveritare siriane që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë.

Në fjalimin e tij të parë televiziv pas bombardimeve të fuqishme izraelite mbi Damask të mërkurën, Sharaa iu drejtua druzëve të enjten duke thënë se “ne e kundërshtojmë çdo përpjekje për t’ju tërhequr në duart e ndonjë pale të jashtme”.

“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit”, tha ai.

Ai shtoi se populli sirian nuk ka frikë nga lufta dhe se është i gatshëm të luftojë nëse rrezikohet dinjiteti i tyre.

Sulmet ajrore izraelite shkatërruan një pjesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë dhe goditën pranë Pallatit Presidencial, pasi Izraeli u zotua se do t’i “shkatërrojë” forcat qeveritare që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë dhe kërkoi tërheqjen e tyre.

Bombardimet shënuan një përshkallëzim të madh nga ana e Izraelit kundër administratës së udhëhequr nga Sharaa. Ato ndodhën pavarësisht afrimit të Sharaas me SHBA-në dhe kontakteve të administratës së tij me Izraelin në fushën e sigurisë.

Duke përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar dobët, Izraeli tha se nuk do t’i lejojë ata t’i zhvendosin forcat në jug të Sirisë dhe është zotuar se do ta mbrojë pakicën druzi në këtë pjesë të vendit nga sulmet, pasi u nxit edhe nga thirrjet e pakicës druzi brenda vetë Izraelit.

Ndërkohë, SHBA-ja tha se luftimet do të ndalen së shpejti.

“Jemi pajtuar për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj gjendje situatë shqetësuese dhe të tmerrshme sonte”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën mbrëma.

Të mërkurën, zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druzi shpallën një armëpushim të ri pas luftimeve disaditore.

Autokolonat e forcave qeveritare filluan të tërhiqen nga qyteti i Suveidës, por nuk është ende e qartë nëse marrëveshja e re – e shpallur nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe nga një udhëheqës fetar druzi përmes një video-mesazhi – do të zbatohet.

Një armëpushim i mëparshëm i shpallur një ditë më parë dështoi shumë shpejt.

Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Përshkallëzimi më i fundit në Siri nisi me rrëmbime dhe sulme hakmarrëse ndërmjet fiseve vendëse sunite beduine dhe fraksioneve të armatosura druzi në provincën jugore.

Forcat qeveritare që ndërhynë për të rivendosur rendin u përplasën më pas me forcat druzi.

Sekti fetar druzi u formua në shekullin e 10-të si një degë e ismailizmit, që është vetë një degë e Islamit shiit. Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzëve në botë jetojnë në Siri.

Pjesa tjetër jeton kryesisht në Liban dhe Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli i mori nga Siria gjatë luftës së Lindjes së Mesme më 1967 dhe e aneksoi në vitin 1981.

Nuk janë publikuar të dhëna zyrtare për viktima që nga e hëna, kur Ministria e Brendshme siriane tha se ishin vrarë 30 njerëz.

Por, vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se deri të mërkurën në mëngjes janë vrarë mbi 300 njerëz, përfshirë katër fëmijë, tetë gra dhe 165 ushtarë e forca sigurie.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Gjuha shqipe shpërfillet nga tabelat paralajmëruese të sistemit “Qyteti i Sigurt”

Gjuha shqipe shpërfillet nga tabelat paralajmëruese të sistemit “Safe City”. Ministria e Brendshme thotë se tabelat janë vendosur në përputhje me Rregulloren për shenjat...

Do të rrënohet objekti i ndërtuar pa leje në Çair

Komuna e Çairit ka filluar procedurat ligjore për rrënimin e objektit ilegal të ndërtuar mbi çatinë e një shtëpie në afërsi të kompleksit “26...

Aggeler, me letër lamtumire: vlerësoj forcën dhe guximin e popullit në RMV

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Aggeler, pasdite ka publikuar një Letër të Hapur, duke përshëndetur popullin e Maqedonisë së Veriut...

Vuçiç: Bordi i Paqes po krijon përçarje brenda BE-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Bordi i Paqes, i iniciuar të enjten në Davos, ka thelluar ndarjet brenda Evropës dhe se...

Macja Skaj në qendër të vëmendjes: Alarm në Kisela Vodë, 3000 euro për gjetjen e macës

3000 euro SHPËRBLIM! Kërkohet Skaj – Mace femër, e humbur në Kisela Vodë, mes Çeshmës dhe shkollës “Partenija Zografski”. Dallohet sepse ka ngjyrë gri të çelët...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu