Shqipëri“Ne? 500 herë ma mirë me Enver Hoxhën…” (Pse demokracia në vetvete nuk është zgjidhje)

Personazhi në videon që shoqëron këtë shënim, Adrian Thano (video është marrë nga rrjetet sociale), 34 vjet më parë i thanë se liria është e shenjtë. I premtuan se nëse hiqte dorë nga diktatori, nga hekurat e sistemit autoritar, do shijonte demokracinë, begatinë, dinjitetin njerëzor.

I dhanë një çelës pa derë. Një premtim pa përmbajtje. Tri dekada e gjysëm pas rrëzimit të regjimit komunist, vendi i tij akoma endet në paradhomën e Europës si një fëmijë i padëshiruar.

Sepse demokracia në vetvete nuk është zgjidhje. Është vetëm një mjet. E varur nga kultura, nga shkalla e emancipimit, nga niveli i drejtësisë dhe institucioneve. Pa këto demokracia bëhet një mashtrim i bukur për të legalizuar vjedhjen dhe zhvatjen.

Popujve u hiqet diktatori që të bien në prehrin e një elite tinzare rrufjanësh, që nuk i shtyp me tanke, por i shkatërron me emigrim, me cinizëm, me zhgënjim, me përjashtim. Nëse disa shoqëri nuk janë gati për të qenë të lira – jo sepse nuk e duan lirinë, por sepse nuk kanë ende strukturat për ta përballuar atë – çfarë është më shumë krim: T’u imponosh një demokraci të rreme, apo një diktaturë të keqe?

Ndoshta, ndoshta, ka ardhur koha të mos flasim më fare për “demokraci apo diktaturë”, dy fjalët që i dashurojnë kaq fort marifetçinjtë tanë të llogoreve. Le të flasim për dinjitet njerëzor, barazi reale dhe rend të drejtë. Pa to, çdo sistem, çfarëdo emri t’i vendosim, është farsë.

Paradoksi më therrës i “lirisë” së sotme është se të thonë: fol lirshëm. Por pasojat vijnë në mënyrë të heshtur, të padukshme, tinzare, nga një rrjet “jo i diktaturës”, por po aq efektiv, i ndëshkimit dhe izolimit.

Në diktaturë e dije: ka gjëra që nuk duhen thënë. Ishte shkruar, ishte ligj. E quanim censurë. Ishte e dhunshme, por e drejtpërdrejtë. Kufijtë ishin të dukshëm. Sot kufijtë janë të padukshëm, të rrëshqitshëm, të vendosur nga një sistem ku kontrolli vjen përmes varësisë ekonomike, klientelizmit, opinionit publik të komanduar dhe frikës për të mbetur vetëm.

Diktatura të ndëshkonte, por nuk të gënjente. A nuk është më e ndershme të dish kufijtë dhe t’i sfidosh me guxim, sesa të të gënjejnë me “liri”?

Ja një pyetje e thjeshtë: Përse asnjë deputet nuk guxon sot të kritikojë kryetarin e partisë edhe kur ky vret dhe mburret me vrasjen? Kur nuk e bën dot ky kapedani me rrogë të lartë dhe status të lartë publik, si do e bëjë një i papunë? Një punonjës i administratës që jeton me frikën e një firme largimi? Një gazetar pa kontratë? Një aktivist pa mbështetje?

Kur një “parlament i popullit” nuk ka kurajon të vrasë autokracinë në qeverisje si mund t’i kërkojë popullit të mos votojë një vrasës? Një opozitë që nuk ka kurajon të vrasë autokracinë brenda vetes si mund t’i kërkojë popullit të vrasë diktaturën që ka mbi supe?

Kur flet me koqe arrash në gojë “elita politike” që i ka të gjitha, si mund t’i kërkohet popullit të mos ketë frikë? Kur shet shpirtin dhe dinjitetin “elita e parasë” që i ka të gjitha, si mund t’i kërkohet fukarait të mos shesë votën?

Në këtë klimë, censura nuk ka më nevojë për ligje: njerëzit vetë-mbyllen. Vetë-shurdhohen. Vetë-fshihen. Shpërblimi i shkon hipokrizisë, jo guximit. Kur liria bëhet grackë, dhe fjala kthehet në rrezik të padukshëm, nuk jemi më të lirë — jemi vetëm më të nënshtruar.

Dhe ndoshta, më të manipuluar se kurrë më parë.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Mickoski si “Vuçiçi i vogël” apo Filipçe si “Zaevi i vogël”

Përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është ashpërsuar ndjeshëm pas deklaratave të kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili e quajti kryeministrin Hristijan Mickoski...

Zhgënjimi që ShBA s’e pa kurrë në raportet me Kosovën deri në ardhjen e Kurtit në pushtet

Kosova u ndëshkua këtë vit nga aleati më i madh dhe më i fuqishëm. Dialogu strategjik me ShBA-në u pezullua, për shkak të veprimeve...

BDI denoncon trajtimin çnjerëzor të 76 punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, trajtimit çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve në Ministrinë për...

ASH-Sela sot mban Kuvendin e partisë

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka njoftuar se gjatë ditë së sotme do të mbajë Kuvendin e pestë të partisë. Kuvendi do të...

Lloga: Lidershipi i VLEN-it mes modelit jugosllav dhe atij të Bosnjës

Duke qenë se të gjithë po “dhunohemi mediatikisht” me temën e bashkimit të qeveritarëve shqiptarë në një subjekt të vetëm politik, duhet t’u sjellim...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu