Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se është miratuar një Rregullore e re që rrit pragun e tolerancës për shpejtësinë. Toleranca është 6 km/orë për shpejtësi deri në 50 km/orë, 9 km/orë për shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë dhe 12 km/orë për kufizim 100 km/orë. Kjo nënkupton, për shembull, se në një zonë me kufizim 50 km/orë, sanksionimi nis nga 60 km/orë, ndërsa në zonë 30 km/orë nga 37 km/orë
Shkup, 1 shkurt – Në territorin e Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, si dhe në korridoret 8 dhe 10, nga sot ka nisur zbatimi i sistemit për sanksionim automatik të shkeljeve në komunikacion “Safe City”, një projekt që synon rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve në trafik.
Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër lloje shkeljesh: parkim të parregullt, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq dhe drejtim të automjetit me afat të skaduar të regjistrimit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se është miratuar një Rregullore e re që rrit pragun e tolerancës për shpejtësinë. Toleranca është 6 km/orë për shpejtësi deri në 50 km/orë, 9 km/orë për shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë dhe 12 km/orë për kufizim 100 km/orë. Kjo nënkupton, për shembull, se në një zonë me kufizim 50 km/orë, sanksionimi nis nga 60 km/orë, ndërsa në zonë 30 km/orë nga 37 km/orë.
Ai paralajmëroi edhe një projekt shtesë me mbështetjen e Telekomit të Maqedonisë, përmes të cilit qytetarët do të marrin mesazhe informative për shkelje brenda kufijve të tolerancës, pa u shqiptuar gjoba.
Sipas ligjit, gjobat për tejkalim shpejtësie variojnë nga 20 euro deri në 400 euro dhe mund të shoqërohen me marrje të patentë shoferit deri në një vit. Në zonat e banuara, gjobat mund të arrijnë deri në 500 euro. Kalimi në semafor të kuq dënohet me 250 euro dhe ndalim drejtimi nga 3 deri në 12 muaj, ndërsa në rast aksidenti parashihet edhe përgjegjësi penale. Vozitja pa regjistrim dënohet me 100 euro për shoferin dhe 250 euro për pronarin e mjetit.
Për parkim të parregullt, gjobat janë 30 euro, 45 euro nëse pengohet komunikacioni dhe 50 euro për parkim në vende të rezervuara për persona me aftësi të kufizuara. Pagesa brenda tetë ditësh mundëson përgjysmimin e gjobës.
Ministri Toshkovski theksoi se, pavarësisht teknologjisë moderne, gabimet teknike janë të mundshme për shkak të ndriçimit, kushteve atmosferike apo faktorëve të tjerë që ndikojnë në leximin e targave. “Nuk ekziston sistem i përsosur dhe nuk pretendoj se nuk do të ketë gabime. Do të ketë, por ato do të korrigjohen. Ky sistem është dukshëm më i mirë nga ai që kemi pasur më parë. Qëllimi kryesor është të shpëtohen jetë dhe të rritet siguria në komunikacion. Është e rëndësishme që përgjegjësi të mbajë ai që e ka kryer shkeljen”, deklaroi Toshkovski.
Autoritetet apelojnë që sistemi të shihet si masë parandaluese dhe jo vetëm ndëshkuese, me fokus rritjen e disiplinës dhe sigurisë në rrugë.
