Nën mëshirë të fatit mbetet referendumi për largimin e lojërave të fatit në Tetovë, nuk dihet nëse dhe kur do të mbahet

Ndonëse kanë kaluar më tepër se një vit e gjysmë që kur në dhjetor të vitit 2022 u shpall nisma për referendumin për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, duke filluar nga Tetova, kjo nismë po zvarritet për çështje teknike dhe politike, ndërsa nuk dihet se nëse dhe kur do mbahet e njëjta, shkruan Portalb.mk.

Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti Bixhoz për Portalb.mk theksoi se situata me objektet e bixhozit në vend është bërë alarmante dhe e patolerueshme, ai theksoi se nuk janë tërhequr nga ideja e referendumit për largimin e objekteve të lojërave të fatit, duke nisur nga Tetova.

“Nga ana e Lëvizjes Anti Bixhoz e kemi bërë të njohur sfidën e radhës, referendumin gjithë popullor, duke filluar nga Komuna e Tetovës me të cilën do të obligohen Këshillat Komunale që t’i dalin në mbrojtje sovranit nga çdo e keqe që kërcënohet dhe nga çdo ves i keq që e dëmton atë”, tha Abdiu.

Ata theksojnë se prolongimi i referendumit u bë për disa arsye.

“Pengesat të cilat sollën në prolongimin e saj janë: cenzusi i lartë për suksesshmërinë e referendumit i cili është 50 % plus 1 nga trupi zgjedhor, (kërkojmë zvogëlimin e saj në nivelin e zgjedhjeve) dhe mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme në vend”, tha Abdiu.

Ai shtoi se me formimin e plotë të Qeverisë së re shpresojnë që të fillojnë bisedimet dhe të riaktivizojnë idenë e referendumit dhe në të ardhmen e afërt ta bëjnë realizimin e saj.

Komuna e Tetovës edhe pse e pyetur për këtë problematikë, nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.

Nga ana tjetër, koordinatori i këshilltarëve komunal në Tetovë Liridon Disha për Portalb.mk theksoi se ata kanë përshëndetur çdo iniciativë që është marrë për largimin e lojërave të fatit në Komunën e Tetovës.

“Për ta konfirmuar këtë, po ju rikujtojmë se BDI pati propozuar projektligj të cilin e sabotonin vazhdimisht deputetët e VMRO-së dhe ai i Lëvizjes Besa në komisionin parlamentar. Ligji u miratua me procedurë të shpejtë e më pas nuk u nënshkrua nga Kryetari i Shtetit. Ne do ta përkrahim çdo iniciativë për mbyllje të tërësishme të çdo veprimtarie që ka të bëjë me lojërat e fatit, por kjo të jetë gjithëpërfshirëse (të merren licencat e çdo operatori) dhe jo selektive siç pretendon Qeveria VMRO-VLEN”, theksoi Disha.

Tema e kazinove është aktuale edhe në përbërjen e re parlamentare. Koalicioni i Frontit Europian ka kërkuar që me ndryshimet e propozuara të mbyllen tërësisht kazinot, bastoret dhe objektet tjera nga lojërat e fatit, ndërkohë VLEN-i ka propozuar largimin e tyre nga vendbanimet.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Ligji për lojërat e fatit ‘fle’ në Kuvendin e RMV-së, zvarritet miratimi

Ndonëse se u promovua me shumë bujë si një hap i madh për mbrojtjen e të rinjve, propozim-ligji për lojërat e fatit me të...

Vuçiqi nga Brukseli: Nesër t’i vendosim sanksione Rusisë dhe ta njohim Kosovën, kështu pranohemi në BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Bruksel të martën mbrëma tha se Serbia do të pranohej në Bashkim Evropian...

Pesë vjet nga arrestimi i Thaçit dhe të tjerëve

Sot bëhen pesë vjet nga arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Me rastin e kësaj dite, Organizata e Veteranëve të Luftës...

Kryetari i parë mysliman i New Yorkut – fjalët e para të Mamdanit pas fitores, goditje e ashpër për Trumpin

Demokratët fituan në tri gara të martën në zgjedhjet e para të mëdha që kur Donald Trump rifitoi presidencën, duke ngritur një brez të...

Ibrahimi: Haqim Ramadanin nuk e lamë të vetëm, por ai e braktisi VLEN-in? (VIDEO)

Lideri i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, ka komentuar strategjinë e fushatës së kandidatit të VLENI-së, Haqim Ramadani, në komunën e Bërvenicës gjatë rrethit të dytë...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu