SMS porosi dhe e-maile të rremë për kinse shkelje të konstatuara dhe gjoba trafiku kanë filluar t’u mbërrijnë qytetarëve. Vetëm dhjetë ditë para se të vihet në funksion të plotë sistemi “Qyteti i Sigurt”, MPB-ja informon se gjatë ditëve të fundit, një pjesë e qytetarëve kanë qenë në “shenjestër” të mesazheve të rreme dhe se pas tyre nuk qëndron MPB-ja, por sulme karrem. MPB-ja u bënë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të madh ndaj mashtrimeve online dhe të mos shpërndajnë të dhëna personale. Për ta kuptuar nëse një SMS është i vërtetë, sqaron më tej MPB-ja, porosia e dërguar nga MPB-ja duhet të përmbajë shenjën e regjistrimit të automjetit që ka kryer kundërvajtjen.
“Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin se në periudhën e fundit është vërejtur shfaqja e sulmeve karrem që kryhen përmes SMS-ve të rreme, postës elektronike, ueb-faqeve dhe mesazheve në rrjetet sociale. Mesazhet e rreme gjoja dërgohen nga Departamenti për automjete motorike si njoftim nga sistemi “Qytet i Sigurt” dhe në to është vendosur një link i rremë përmes të cilit qytetarët ridrejtohen që të kryejnë pagesë për një kundërvajtje të supozuar në trafik. MPB u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin linqe dhe mesazhe të dyshimta dhe asnjëherë të mos ndajnë të dhëna personale, siç janë numrat e kartelave bankare. Dhe të gjitha SMS porositë e dyshimta t’i denoncojnë tek organet kompetente.”, – deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Sektori për krim kompjuterik pranë MPB-së po ndërmerr aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit dhe sanksionimin e personave që dërgojnë porosi të rreme. Në ndërkohë MPB-ja deri më 31 janar vazhdon kalibrimin dhe verifikimin e kamerave të vendosura nëpër qytete, me qëllim që më 1 shkurt gjithçka të jetë gati për zbatimin e plotë të sistemit. Sistemi “Qyteti i Sigurt” pritet të gjejë zbatimin e tij të plotë më 1 shkurt, pasi që paraprakisht, në Kuvend do të miratohen ndryshimet në ligjin për kundërvajtje.
