Sonte në TV21 ishte paralajmëruar një debat mes dy kandidatëve për komunën e Çairit, Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani. Por, ajo që duhej të ishte një përballje e drejtpërdrejtë përpara qytetarëve, përfundoi në intervista të ndara. Arsyeja? Sërish refuzimi i Izet Mexhitit për t’u ulur në të njëjtin studio me rivalin e tij politik.
Ende nuk dihet pse Mexhiti shmang ballafaqimin publik, por fakti mbetet i qartë: ky nuk është hera e parë që ai refuzon një debat me Osmanin. Ndërkohë, Bujar Osmani reagoi në Facebook duke i lënë derën hapur – “ende ka kohë për debat”, tha ai, madje i ofroi Mexhitit mundësinë që ta zgjedhë vetë ditën, orën dhe televizionin ku dëshiron ta zhvillojë.
Ironia është se Mexhiti në publik shpesh bën thirrje për “debat të hapur”, por kur i jepet mundësia, tërhiqet. Pyetja që ngrihet tashmë është e thjeshtë: çfarë ka për të fshehur Izet Mexhiti? Pse i ikën përballjes që do t’u jepte qytetarëve mundësinë të shohin se kush ka ofertën më të mirë për Çairin?
Në vend që të fshihet pas intervistave të ndara, Mexhiti do të duhej të dilte përpara votuesve dhe të përballej me argumente. Sepse debati nuk është frikë – është detyrë politike.