Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas deklaratave të kreut të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, për të cilin thonë se tregon sjellje gjithnjë e më të hapur politike dhe se Gjykata Kushtetuese jo vetëm që ka braktisur misionin e saj si institucion i pavarur, por është shndërruar në instrument të pushtetit për të rrënuar themelet e barazisë ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit, transmeton Portalb.mk.
“Deklaratat publike të Kryetarit të kësaj gjykate, që minimizojnë problemet ndëretnike dhe i paraqesin ato si “mjet për qëllime politike”, janë jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe thellësisht të rrezikshme. Ato synojnë ta zhvendosin vëmendjen nga diskriminimi sistematik që ende ekziston dhe të mbulojnë ofensivën institucionale kundër të drejtave të fituara me gjak dhe sakrificë. Gjykata Kushtetuese nuk po fshihet më pas neutralitetit – ajo po vepron si zgjatim parapolitik i pushtetit aktual. Paralajmërimi se vendimi për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të merret pas zgjedhjeve nuk është rastësi, por pjesë e një plani të mirëorkestruar për të ruajtur përkohësisht projektin e tyre politik te shqiptarët me kuazipërfaqësues pa legjitimitet, e që më pas për të goditur të gjitha arritjet e fituara përmes Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI.
Zërat që prej kohësh flisnin për një marrëveshje mes Qeverisë dhe Gjykatës për ta rrëzuar ligjin pas zgjedhjeve, tashmë po marrin formën e faktit të kryer, shtojnë nga kjo parti.
“Këto zhvillime zbulojnë një të vërtetë të hidhur: barazia dhe bashkëjetesa janë vënë në shënjestër nga vetë institucionet që duhet t’i mbrojnë ato. Zgjedhjet e ardhshme nuk janë më thjesht zgjedhje – ato janë referendum për gjuhën shqipe, për barazinë qytetare dhe për orientimin e shtetit tonë. A do të jetë ky një shtet i të gjithë qytetarëve apo një regjim i maskuar që përdor drejtësinë për të shtypur identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve? BDI nuk do të lejojë askënd – asnjë qeveri, asnjë gjykatë, asnjë institucion të përdorë mekanizmat e shtetit për të rikthyer padrejtësinë e së kaluarës. Marrëveshja e Ohrit është dokument paqeje, por edhe kontratë shtetformuese. Kush e prek atë, luan me stabilitetin dhe të ardhmen e përbashkët të këtij vendi. Zëri ynë do të dëgjohet. Barazia nuk negociohet. Marrëveshja e Ohrit nuk do të nëpërkëmbet”, shtojnë nga BDI.
Seanca përgatitore për Ligjin për Gjuhët është planifikuar për 19 qershor 2025, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një intervistë për magazinën televizive “Triling” të transmetuar në 24 Vesti më 2 maj 2025. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shpjegoi se për shkak të tragjedisë në Koçan, Gjykata e shtyu seancën një herë, dhe vlerësimet e tij janë se pas zgjedhjeve lokale në vjeshtë, do të ketë vendim nga Gjykata.
Kostadinovski vlerëson se vendi nuk ka problem me marrëdhëniet ndëretnike, por me keqpërdorimin e tyre.
“Në shoqërinë tonë ka tema që janë të papërshtatshme për shfrytëzim politik. Të tilla janë marrëdhëniet ndëretnike. Ato janë shumë të rëndësishme për një shoqëri si ajo maqedonase. Por, bindja ime e thellë është se në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë sonë nuk kemi problem me marrëdhëniet ndëretnike. Kemi një lloj tjetër problemi, dhe ai është abuzimi i marrëdhënieve ndëretnike për qëllime politike. Kjo është ajo që kemi parë gjatë gjithë periudhës së kaluar dhe pas procedurave në lidhje me “Balancuesin” dhe Ligjin për Gjuhët. Kemi një nevojë më urgjente. Pajtohem që marrëdhëniet ndëretnike janë një nga shtyllat e stabilitetit për vendin tonë. Por në këtë moment, bindja ime personale është se ekziston një themel edhe më i rëndësishëm për stabilitetin e vendit tonë. Ky është sundimi i ligjit. I vërtetë dhe i sinqertë, jo i rremë dhe jo deklarativ. Askush nuk duhet të ketë frikë nga veprimet tona. Asnjë e drejtë që çdo qytetar gëzon sipas Kushtetutës sonë nuk do të mohohet. Qëndrimet tona ligjore për çdo ligj do ta detyrojnë ligjvënësin të bëjë një ligj më të mirë”, theksoi Kostadinovski.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese iu drejtua qytetarëve dhe i nxiti të jenë të qetë dhe të mos besojnë në manipulime politike, sepse Gjykata Kushtetuese është ajo që mbron Kushtetutën.
Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN.
Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.