Kuvendi i Republikës Sërpska miraton ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të Bosnjës brenda entitetit

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi të enjten ligje që ndalojnë në mënyrë antikushtetuese veprimtarinë e institucioneve gjyqësore dhe hetimore të Bosnje – Hercegovinës në këtë entitet.

Me miratimin e projektligjit për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore parashihet ndalimi i punës dhe veprimeve të Gjykatës së Bosnje- Hercegovinës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje – Hercegovinës në Republikën Sërpska.

Heqja e njëanshme e kompetencave shtetërore të Bosnjës në një pjesë të territorit të saj, nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjykata e Bosnje-Hercegovinës, Prokuroria dhe SIPA, janë formuar mbi bazën e ligjeve të miratuara nga Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe janë konfirmuar nga Dhoma shtetërore e Popullit.

Për t’u shfuqizuar, sipas Kushtetutës, duhet të vendosë edhe Parlamenti i Bosnjës.

Megjithatë, ministrja e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale të Republikës Sërpska, Senka Jujiq, në arsyetimin e këtij propozimi, pohoi se, sipas Kushtetutës së Bosnje – Hercegovinës, “të gjitha funksionet dhe kompetencat qeveritare që nuk janë shprehimisht të përcaktuara si kompetenca të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, u përkasin entiteteve”.

Për këto ligje votuan 49 deputetë, ndërsa tre ishin kundër. Në votim morën pjesë 52 nga 83 deputetët e Kuvendit të Republikës Sërpska.

Miratimi i ligjeve ndodhi një ditë pas vendimit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, të cilin Gjykata e Bosnje – Hercegovinës e dënoi me një vit burgim dhe ia ndaloi veprimtarinë në funksionet publike për gjashtë vjet.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Srpska, Millosh Llukiq, u lirua nga akuzat.

Ata ishin akuzuar për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkomëbtar, Christian Schmidt.

Para shpalljes së vendimit, udhëheqësia e Republikës Sërpska, pati kërcënuar me “vendime radikale” dhe me tërheqje nga të gjitha institucionet e Bosnjës, nëse Dodik do të dënohej.

Ligjet u miratuan një natë më parë nga Qeveria e Republikës Sërpska dhe më pas u dërguan në Kuvendin e entitetit.

Me ndryshimet e miratuara në Kodin Penal të Republikës Sërpska, “mosrespektimi ose moszbatimi i vendimeve të institucioneve ose organeve të Republikës Srpska”, konsiderohet vepër penale.

Në rast të shkeljeve parashihen dënime me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe masa ndaluese për ushtrimin e profesionit.

Para seancës parlamentare, presidenti i entitetit, Millorad Dodik, deklaroi se Republika Sërpska “do të kundërshtojë veprimtarinë e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje – Hercegovinës”.

Ministri i Drejtësisë i Republikës Sërpska, Millosh Bukejloviq, tha se ndryshimet janë bërë “për shkak të nevojës për mbrojtjen e rendit institucional” dhe synojnë “forcimin e mekanizmit të përgjegjësisë” për personat që ushtrojnë funksione publike në Republikën Sërpska dhe në nivelin e Bosnje – Hercegovinës.

Formimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së
Kuvendi miratoi edhe projektligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, i cili parashikon krijimin e një organi që do të emëronte gjyqtarë, prokurorë dhe funksionarë të tjerë gjyqësorë në këtë entitet.

Në Bosnje dhe Hercegovinë ekziston një Këshill i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial shtetëror, i cili emëron funksionarët gjyqësorë në të gjithë vendin, përveç gjyqtarëve kushtetues.

Mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Republikës Sërpska e mori edhe Ligji për Regjistrin e Veçantë dhe Transparencën e Punës së Organizatave Jofitimprurëse.

Ky ligj parashikon krijimin e një Regjistri të Veçantë të organizatave jofitimprurëse të themeluara në Republikën Srpska, të cilat marrin mbështetje financiare, ose ndihmë tjetër nga subjektet e huaja, si dhe përfshirjen e tyre në aktivitete politike, duke i klasifikuar ato si ‘agjentë të jashtëm’.

Ndonëse partia në pushtet pretendon se këto vendime janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës Sërpska, partitë opozitare theksuan se bëhet fjalë për ligje që përfaqësojnë “dëshirat e një njeriu [Dodikut]”, me pasoja të mundshme “të paparashikueshme dhe të rrezikshme” për qytetarët e këtij entiteti serb.

“Ajo që po bëni sot është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, Kushtetutës së Bosnje – Hercegovinës dhe Kushtetutës së Republikës Sërpska”, tha deputeti Ognjen Bodiroga.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, u bëri thirrje deputetëve të votojnë për ligjet, duke thënë se “situata është jashtëzakonisht e favorshme për të rikthyer subjektivitetin e Republikës Sërpska, të garantuar nga Kushtetuta e Bosnje – Hercegovinës”.

Dodik theksoi se Republika Sërpska “është përgatitur për këtë hap prej vitesh”, duke nënvizuar posaçërisht forcimin e “kapaciteteve policore”.

Dodik kishte paralajmëruar edhe në fund të janarit projektligjin për Regjistrin e Veçantë dhe Transparencën e Punës së Organizatave Jofitimprurëse, i njohur në publik edhe si ligji për “agjentët e huaj”.

Një propozim i tillë u tërhoq nga procedura e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska në maj të vitit të kaluar, pas presionit të madh nga opinioni publik vendas, si ai ndërkombëtar./REL

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Londrimi ‘djeg’ shtëpinë: Klodit biletën e koncertit- Olta shpërthen: ‘Dashuria është vëmendja!

Në Big Brother VIP Kosova 4, kapiteni i javës, Londrimi, u vu përballë një vendimi të veçantë: ai duhej të zgjidhte një banor që...

Shokon Londrimi: E kam zënë Labin duke na shikuar organet gjeni*tale mua dhe meshkujve të tjerë

Labinot Rexhaj i ka kaluar limitet kësaj radhe. Ai ka komentuar stilin e veshjes së Londrimit, duke e cilësuar se vishet “sikur grua”. Londrimi iu...

Selimi: Partnerët shqiptarë në qeveri nuk lejohen as të guxojnë

Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar me tone kritike ndaj qasjes së kryeministrit të RMV-së, Hristijan Mickoski, duke e cilësuar sjelljen e tij politike...

Pensionohet këngëtari i njohur i muzikës kombëtare, Ilir Shaqiri

Këngëtari i njohur shqiptar, Ilir Shaqiri, ka vendosur të tërhiqet zyrtarisht nga skena artistike. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të veçantë...

Suedia në alarm, nëndetëset ruse shfaqen pothuajse çdo javë në Detin Baltik

Marina suedeze po ndeshet “pothuajse çdo javë” me nëndetëse ruse në Detin Baltik, kanë deklaruar autoritetet, ndërsa vendi po përgatitet për një rritje edhe...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu