Irani ka paralajmëruar aleatët e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme se do të godasë bazat ushtarake amerikane në territorin e tyre nëse Washingtoni ndërmerr sulme kundër Teheranit, raportoi Reuters, duke cituar një zyrtar të lartë iranian.
Sipas burimit, Irani u ka kërkuar vendeve rajonale të “parandalojnë Washingtonin nga një sulm ndaj Iranit”, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë.
Paralajmërimi vjen mes rritjes së tensioneve, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për “masa shumë të forta” në rast të ekzekutimit të protestuesve në Iran.
Reuters thekson se SHBA-të kanë prani të gjerë ushtarake në rajon, përfshirë Bahreinin dhe Katarin, ku ndodhet baza ajrore Al Udeid.
Vitin e kaluar, Irani goditi me raketa këtë bazë në kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi objektiva bërthamore iraniane.
