Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj rënies së Maqedonisë së Veriut në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke e cilësuar situatën si dështim të qeverisë dhe kërcënim serioz për sigurinë e shtetit.
Sipas raportit më të fundit të organizatës ndërkombëtare Transparency International për vitin 2024, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve, duke u renditur në vendin e 88-të nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë. Nga BDI vlerësojnë se kjo rënie e thellë reflekton humbjen e besimit si të qytetarëve ashtu edhe të faktorëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve shtetërore.
“Si opozitë, vlerësojmë se kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të luftojë korrupsionin, por me veprimet e saj e ka normalizuar atë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare ngre alarmin edhe për të dhënat shqetësuese të prezantuara nga Fakulteti i Sigurisë, sipas të cilave çdo i treti qytetar, ose një anëtar i afërt i familjes së tij, ka pasur kontakt me një zyrtar të korruptuar. Sipas BDI-së, ky fenomen nuk është më thjesht problem etik apo administrativ, por korrupsioni sistemik tashmë përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e shtetit, pasi paralizon institucionet dhe minon rendin demokratik.
Në reagim, BDI lidh degradimin institucional edhe me vendimet e fundit të shumicës parlamentare. Veçanërisht kritikohet miratimi i Ligjit për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili, sipas organizatës “Green Humane City”, hap rrugë për skandale të reja mjedisore. Ky ligj u lejon industrive që, nën arsyetimin e “sekretit tregtar”, të fshehin nga opinioni publik informacione jetike për llojin e mbetjeve që digjen në objektet industriale.
“Me këtë ligj, qytetarëve u mohohet e drejta themelore për të ditur nëse po rrezikohet shëndeti i tyre dhe ambienti ku jetojnë”, thekson BDI.
Në përfundim të reagimit, partia rendit disa konkluzione kyçe: korrupsioni po thellohet dhe po shndërrohet në normë, siguria shtetërore dhe besimi qytetar po dëmtohen rëndë, ndërsa transparenca dhe mbrojtja e mjedisit po sakrifikohen në favor të interesave të ngushta ekonomike.
BDI kërkon rishikim urgjent të politikave antikorrupsion, anulim të ligjeve që, sipas saj, mbrojnë korrupsionin, si dhe përgjegjësi politike dhe institucionale për rënien e vendit në indeksin e korrupsionit. Po ashtu, kërkohet transparencë e plotë për aktivitetet industriale që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.
“BDI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesit publik, sundimin e ligjit dhe ndërtimin e institucioneve të besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe jo të korrupsionit”, thuhet në reagim.
