AKUZAT E MICKOSKIT DREJTUAR BDI-së | Destabilizim apo defokusim!

Betejë kundër majorizimit, ngritja e zhurmës politike që të mos ulet “tempoja e punës” në BDI, apo rrezik real i destabilizimit? Çështja u riaktualizua pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, se përmes disa kanaleve ka informacione se udhëheqësia e BDI-së, në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar në 20 vitet e fundit, do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit këtë vjeshtë. Kësaj deklarate i është përgjigjur përmes një kumtese partia nga Reçica e Vogël.

“Pa komentuar spinet dhe bllofet politike, duam të sqarojmë se kemi mandat dhe përgjegjësi nga votuesit shqiptarë për të mbrojtur legjitimitetin, vullnetin politik dhe dinjitetin e zërit dhe të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Do të marrim të gjitha masat dhe mjetet demokratike për të parandaluar poshtërimin dhe majorizimin e shqiptarëve përmes imponimit të vasalëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se kryeministri Hristijan Mickoski duhet t’i ndajë të gjitha informatat për destabilizimin e mundshëm me institucionet.

Sipas tij, nëse Mickoski ka ndonjë informacion për destabilizim të mundshëm apo prishje të paqes në vend, duhet menjëherë t’i ndajë me institucionet kompetente, në të kundërtën, ai bëhet bashkëpunëtor ose faktor politik që mund të ketë interes në një situatë të tillë.

“Informacioni për destabilizim që kryeministri ka publikuar dy ditë me radhë shkakton trazira te qytetarët dhe është përgjegjësi e tij personale të parandalojë një situatë të tillë. Nëse ai vetë nuk e ndan informacionin, i bëj thirrje organeve hetimore që të nisin procedimet dhe të hetojnë këto pretendime. Si kryetar i LSDM-së, e cila është parti përgjegjëse, gjithmonë jam kundër çdo forme të destabilizimit. Gjithashtu, nuk guxon të lejohen manipulime me ndjenjat e qytetarëve dhe shkaktimi i gjendjes tensionuese, pa veprime konkrete nga shteti”, shkruan Filipçe.

Derisa nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE kanë vazhduar edhe sot me akuza të njëjta. Ata përmes një kumtese kanë pyetur LSDM-në dhe BDI-në të thonë se cili është plani për destabilizim dhe cili është qëllimi i tyre.

“LSDM dhe BDI të thonë cili është plani për destabilizim dhe ku është qëllimi? A po e përgatisin së bashku planin për destabilizimin e vendit nga vjeshta. Filipçe vrapoi me një status në Facebook për ta hequr mizën nga kapela, por më kot edhe fëmijët e vegjël e dinë se SDS është vëllai i vogël i BDI-së. Të gjitha krimet e BDI-së nuk do të ishin të mundura pa LSD-në. LSD të thotë se çfarë planifikojnë me BDI-në dhe a është qëllimi që të mbrohen nga përgjegjësia për krimet e kryera dhe shteti i plaçkitur? Si LSD ashtu edhe BDI duhet ta dinë se dhuna dhe çrregullimi nuk do t’u ndihmojë, përkundrazi do të duhet të përgjigjen për këtë dhe të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Një pjesë e analistëve shohin në deklaratat e tilla të Mickoskit një përpjekje të tij për të defokusuar opinionin nga skandalet e shumta të Qeverisë në muajin e parë të mandatit të saj.

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Hyseni, për gazetën Koha, deklaroi se deklarata e fundit e Mickoskit bëhet me qëllim të stabilitetit të shumicës qeveritare dhe tendencës për ta paraqitur shqiptarët si faktor destabilizues para faktorit ndërkombëtarë.

“Së pari Mickoski duhet të sqarojë edhe deklaratën e tij gjatë fushatës së fundit se ‘ka informacione se në Fushëtopane ka grupe të armatosura’ atëherë ishte opozitë tani që është në pushtet ku mbeti kjo e thënë nga goja e tij. Mickoski është i vetëdijshëm që nuk ka respektuar votën shqiptare dhe duke sulmuar BDI vlerëson që do ndikojë pozitivisht në ngritjen e rejtingut të partnerëve të tij të dëshiruar – VLEN ndërsa unë mendoj që kjo po ndikon edhe me negativisht. Nga ana tjetër për të bërë skenarë për destabilizim siç thotë ai atëherë paska një arsye pse shembull para dy vitesh nuk është folur për skenare të tilla? Sepse nuk ka dhënë askush arsye te tilla, pra Mickoski është i vetëdijshëm se ka bërë një shkelje të rëndë të votës shqiptare dhe legjitimitetit shqiptar”, deklaroi ai.

Kështu Hyseni shtoi se duke qenë kështu Mickoski del me deklarata të këtilla që nuk arsyetohet kur fjalët dalin tanimë më nga goja e kryeministrit dhe jo siç është mësuar ai nga goja e liderit të opozitës. Sipas tij, tani është koha e fundit që pushteti të ndalojë të merret me deklarata por ka edhe arrën edhe çekanin dhe të jep fakte konkrete, përndryshe këto do të mbesin vetëm insinuata dhe asgjë më shumë.!

Nga ana tjetër, analisti Erol Rizaov, në një kolumnë të tij për DW ka shkruar se sa herë që qeveria e re gabon ose përballet me ndonjë problem serioz, kryeministri Hristijan Mickoski do të hedhë një bombë mediatike për të larguar vëmendjen diku tjetër.

“Sa më i madh të jetë gabimi, aq më i madh është shpërthimi i rremë. Përpjekja e fundit për të mbuluar lëvizjet katastrofike të pushtetit me radhë, derisa vendi po digjet në zjarre për një muaj të tërë, është se BDI po përgatit destabilizimin e Maqedonisë dhe cenimin e integritetit territorial. Sirenat e VMRO-së vajtojnë për alarm dhe mobilizim. Ka thirrje për unitet për të mbrojtur Maqedoninë nga shqiptarët e këqij të vendosur në BDI. Shqiptarët e mirë janë me qeverinë. Diçka e ngjashme me patriotët maqedonas dhe tradhtarët maqedonas. Të tjerët, kudo që janë dhe me kë janë, nuk kanë rëndësi”, tha ai.

Ndryshe, Hristijan Mickoski padyshim që nuk e pati fillimin e mandatit të tij siç mund ta kishit imagjinuar dhe planifikuar. Në tridhjetë ditët e para, opinioni ishte dëshmitarë i shumë skandaleve në lidhje me qeverinë e re. Janë udhëtimet familjare të qeveritarëve në samitin e NATO-s në SHBA, më tej, kredia e premtuar prej 1 miliardë nga Hungaria përgjysmohet në 500 milionë, etj.

Skandale u radhitën edhe me pronat e zyrtarëve në Qeveri, ku më e dallueshme ishte ajo me pronën e Igor Janushev, kështu që në fund skandali më i madh në muajt e parë ishte kaosi në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit mes Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe sigurimit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi. Prandaj, nuk është për t’u habitur nëse motivet e Mickoskit për deklarata të tilla qëndrojnë pikërisht në përpjekjet për të lënë në hije skandalet e pushtetit.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Akuzat ndaj Kreshnik Bektshit, Ahmeti: Nëse dal në rrugë nuk ka kthim prapa

Nëse ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi akuzohet për tragjedinë e Koçanit, Ali Ahmeti do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehet derisa...

Kush ja tërhoqi “veshin” Fetait ? postoi videon me flamurin e UÇk-së dhe Shqipërisë së Madhe, por i fshiu në heshtje!

Zëvendëskryeministri Arben Fetai publikoi një video në rrjetin social Facebook me rastin e 2 Majit, ditës së shpalljes së Zonës së Lirë në Karadakun...

“10 mijë euro në diskotekë”, VV’ja me shpenzime të mëdha për zgjedhjet e fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e paaudituara të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet për Kuvendin e...

Bajrami: Dje e dënoi “konfliktin”, sot fotografohet në Sllupçan – Dje e akuzonin Selën, sot shtrënguan duart vetë

Si mund të quhet ndryshe akti që pas 24 viteve Arben Taravarit i "kujtohet" të nderojë dëshmorët e kombit!? Si mund të quhet akti...

Ziadin Sela: 2 Maji – Ditë kujtese dhe amaneti i përjetshëm i gjakut të UÇK-së për brezat që vijnë

2 Maji i vitit 2001 do të mbetet përjetësisht një ditë e rëndësishme kombëtare, një kujtim i trimërisë së djemve dhe vashave të Ushtrisë...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu