Gjykata Supreme e Holandës e urdhëroi Qeverinë të premten që t’i rishikojë politikat e saj në lidhje me eksportimin e armëve në Izrael.
Gjykata nuk mbajti në fuqi një vendim për ndalimin e eksportimit të pjesëve të aeroplanëve luftarakë F-35, i cili ishte marrë nga një gjykatë më e ulët vitin e kaluar, por tha se Qeveria duhet të vlerësojë nëse ka rrezik që pjesët e aeroplanëve të përdoren në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Gjykata Supreme i dha Qeverisë gjashtë javë afat për ta kryer rishikimin e politikave. Gjatë kësaj kohe do të mbetet në fuqi ndalimi i eksportimit të pjesëve të aeroplanëve luftarakë në Izrael, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Për aq gjatë sa ministri nuk merr një vendim të ri për licencën e eksportit, licenca e tanishme mbetet valide dhe eksportimi i pjesëve të [aeroplanëve] F-35 në Izrael nuk lejohet” – tha gjykatësi Martijn Polak.
Në shkurt të vitit 2024, Gjykata e Apelit në Hagë e kishte urdhëruar Qeverinë ta ndalte eksportimin e pjesëve të aeroplanëve luftarakë, duke vlerësuar se ekzistonte rreziku që aeroplanët luftarakë të Izraelit mund të ishin duke u përdorur për të kryer shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare në Rripin e Gazës.
Vendimi i së premtes nga Gjykata Supreme, që e rrëzoi atë urdhër, e nënvizoi faktin se çfarëdo rishikimi i licencës së eksportit duhet t’i hulumtojë shkeljet e mundshme të së drejtës ndërkombëtare.
Izraeli mohon se e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare gjatë ofensivës në Gaza, me të cilën thotë se synon ta eliminojë Hamasin. Të martën e javës së ardhme, më 7 tetor, mbushen dy vjet nga fillimi i luftës atje./Nacionale