Ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut pret prof. dr. Avzi Mustafën në Ambasadë
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, priti në një takim të veçantë në Ambasadë profesorin e njohur dhe pedagogun e shquar shqiptar, prof. dr. Avzi Mustafa. Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë, z. Imer Selmani.
Gjatë bisedës, prof. Mustafa ndau reflektime mbi zhvillimin e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut, rëndësinë e avancimit të gjuhës shqipe në jetën publike dhe përpjekjet historike për unifikimin e Abetares shqipe.
Ambasadori Meidani theksoi rolin e çmuar të prof. Mustafës në edukimin e brezave dhe në promovimin e trashëgimisë gjuhësore e kulturore shqiptare, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm si pjesë e aktiviteteve përkujtimore për Kongresin e Manastirit.
“Prof. Mustafa është një mik i rregullt i Ambasadës sonë dhe një zë i rëndësishëm në forcimin e identitetit tonë gjuhësor e kulturor,” – u shpreh ambasadori Meidani.
Ky takim u zhvillua në kuadër të diplomacisë kulturore dhe bashkëpunimit për nxitjen e arsimit dhe gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.