Garë e ngushtë për Stambollin: Përçarja e opozitës i jep shpresë Erdoganit për rikthim

Mungesa e unitetit mes partive opozitare e ka forcuar shpresën e presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan, që partia e tij AK të mund ta rimarrë kontrollin e Stambollit gjatë zgjedhjeve lokale të këtij muaji, thonë autorët e anketave, pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar.

Rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, shihet si kyç për përcaktimin e fatit politik të kryetarit të saj, Ekrem Imamoglu, 52 vjeç, i përfolur për kohë të gjatë si kryetar potencial i partisë opozitare CHP dhe potencialisht si president i ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Para pesë vjetëve, Imamoglu dhe CHP-ja sekulariste i kishin dhënë Erdoganit një goditje të rëndë në zgjedhjet lokale duke fituar në Stamboll, vendlindje e Erdoganit, dhe në kryeqytetin Ankara pas 25 vjetëve pushtet të AKP-së dhe paraardhësve të saj islamistë.

Megjithatë, Erdogani, që ka mbizotëruar në politikën turke për gati një çerek shekulli, kaloi një sfidë të fortë opozitare në majin e kaluar, duke fituar mandat të ri si president, ndërsa AKP-ja dhe aleatët e saj e siguruan përsëri shumicën parlamentare.

Aleanca që e kishte ndihmuar Imamoglun drejt fitores në Stamboll tashmë ka kolapsuar dhe aleatët e tij nacionalistë dhe pro-kurdë do të garojnë në këto zgjedhje me kandidatët e tyre.

Sipas anketave të zhvilluara rishtazi, në Stamboll pritet garë e ngushtë. Anketa e MAK-ut tregon se përkrahja për Imamoglun është 41,5 për qind, vetëm për 1,5 për qind më shumë se për kandidatin e AKP-së, Murat Kurum. Sipas anketuesit Murat Gezici, Kurumi ka 44,1 për qind përkrahje, ndërsa Imamoglu 43,5 për qind.

“Gara është fyt më fyt, në tehun e briskut” – tha Ozer Sencar, drejtor i kompanisë për anketa “Metropoll”, duke e theksuar rëndësinë e Stambollit për politikën kombëtare të së ardhmes.

“Nëse Ekrem Imamoglu i fiton zgjedhjet në Stamboll dhe këto zgjedhje nuk anulohen nga ankesat në ndonjë mënyrë, ai do të bëhet president [i Turqisë] më 2028” – tha ai.

Sidoqoftë, shpresa e Imamoglut në Stamboll është dëmtuar nga vendimi i partisë pro-kurde DEM dhe partisë nacionaliste turke IYI, votuesit e të cilave e kishin përkrahur atë më 2019, që të garojnë me kandidatët e tyre.

“Dëmi që partitë IYI dhe DEM do t’ia shkaktojnë Ekrem Imamoglut duhet të merret seriozisht” – tha Sencar-i.

Sipas anketës më të re të kompanisë “Metropoll”, përkrahja për Imamoglun në mesin e votuesve kurdë kishte rënë nga 35 për qind, sa ishte në janar, në 32 për qind muajin e kaluar. Përkrahja në mesin e votuesve të partisë IYI i kishte rënë nga 64 për qind në 45 për qind.

“Rreziku më i madh për opozitën në Stamboll është që po bëhet më e copëtuar se kurrë më parë” – tha Ertan Aksoy, drejtor i kompanisë “Aksoy Research”, sipas anketës së të cilës para 40 ditëve tregohej se Imamoglu kishte 3 – 4 për qind më shumë përkrahje se rivali i tij nga AKP-ja.

Imamoglu e ka akuzuar qeverinë qendrore për pengimin e ofrimit të shërbimeve të tij në Stamboll nga viti 2019. Fushata tani është e përqendruar në zgjidhjen e problemeve të trafikut në qytetin me 16 milionë banorë dhe në nevojën për transformim urban, duke e marrë parasysh rrezikun për tërmete në rajon.

Gjatë fushatës, Erdogani i ka vënë në fokusin e fjalimeve të tij vështirësitë e opozitës.

“Asnjë ndryshim nuk ka arritur që ta shërojë dërrmimin politik të CHP-së. Kushdo që vjen e shkon, vetëm i bën gjërat më keq” – tha ai në një tubim këtë javë.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

E zbulojnë gjeologët/ 20 milionë tonë bakër me vlerë mbi 100 miliardë dollarë gjenden në Kinë

Në një zbulim të papritur, ekspertët kanë zbuluar një depozitë masive bakri në Pllajën Tibetiane të Kinës, që tejkalon 20 milionë tonë. Burimet e...

Trump: Mendoj se Zelensky është i gatshëm t’ia dorëzojë Krimenë Rusisë

Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se ai mendon se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm t’i dorëzojë Krimenë Rusisë...

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Moti sot me vranësira dhe diell. Në pjekët perëndimore dhe jugore do të ketë kushte për reshje shiu dhe bubullima të rralla. Do të fryjë...

Shënimi i 1 majit/LSM me protesta, KSL me konferencë me pushtetin dhe punëdhënësit

Një sindikatë 1 majin – Ditën e Punës do ta shënojë me protesta, ndërsa tjetra më 30 prill me një konferencë mbi zhvillimin e...

Trump ashpërson retorikën me Putinin pas sulmeve mbi zonat civile në Ukrainë: Ndoshta nuk do që ta përfundojë luftën, por dëshiron të më mbajë...

Pas një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nisi të përdorë papritmas një ton më të ashpër ndaj Presidentit...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu