Kur Jeffrey Epstein i ofroi Princit Andrew një grua të re si shoqëruese për darkë, ai e siguroi anëtarin e familjes mbretërore britanike se ajo ishte “ruse, e bukur dhe e besueshme”.
Financieri pedofil, shkruan The Telegraph, e bëri këtë premtim në një shkëmbim email-esh në vitin 2010, ku i shkruante Andreë Mountbatten-Windsor-it, tashmë të diskredituar se “kam një shoqe me të cilën jam i bindur do të të pëlqejë që të darkish”.
Emaili është pjesë e rreth tre milionë dokumenteve në dosjet Epstein, të cilat Departamenti Amerikan i Drejtësisë i publikoi të premten, së bashku me 180 mijë imazhe dhe 2 mijë video. Dokumentet tregojnë se gra të reja ruse ishin mes atyre që Epstein ua ofronte për marrëdhënie burrave të pasur dhe me pushtet nga e gjithë bota. Por ky arkiv masiv dokumentesh ka ngritur dyshime edhe për një lidhje më të errët me Rusinë, duke mos përjashtuar mundësinë që Epstein të qenë një agjent afatgjatë që punonte për Moskën.
Mes materialeve janë 1.056 dokumente ku përmendet emri i Vladimir Putinit dhe më shumë se 9.000 të tjera që i referohen Moskës. Sipas këtyre dokumenteve, Epstein dyshohet se ka pasur takime me presidentin rus, dhe disa zëra sugjerojnë se rekrutimi i shoqërueseve nga Rusia tregon se financieri mund të ketë drejtuar një operacion klasik “kompromentimi”, duke joshur biznesmenë me ndikim, pronarë mediash, burra shteti dhe politikanë në marrëdhënie me këto gra, dhe duke i regjistruar takimet për qëllime shantazhi. Ideja e shantazhit duket se ishte e pranishme edhe në një email që Epstein i shkroi në vitin 2015 Sergei Belyakov-it, atëherë zëvendësministër i zhvillimit ekonomik të Rusisë dhe i diplomuar në akademinë e FSB-së, shërbimit rus të inteligjencës.
Në atë mesazh, Epstein paralajmëronte se “një vajzë ruse nga Moska … po përpiqej të shantazhonte një grup biznesmenësh të fuqishëm në Nju Jork, dhe kjo theksonte ai, është diçka e keqe për biznesin e për personat e përfshirë.
