Në ditën kur edhe zyrtarisht ka nisur zbatimi i sistemit “Safe City”, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se fati i tij do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese – nëse do të abrogohet apo do të vazhdojë me implementim.
Mickoski theksoi se vendimet e Kushtetueses nuk komentohen, por respektohen plotësisht.
“Nuk i komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Le të deklarohet Gjykata Kushtetuese. Ajo që do të thonë nga Gjykata Kushtetuese do të jetë vendim final. Vendimet e Gjykatës nuk komentohen. Ndërkaq, është e drejtë e gjithsecilit të dorëzojë iniciativa në këtë Gjykatë. Sigurisht, Gjykata Kushtetuese do të kërkojë mendim nga ne si Qeveri dhe ne do ta japim mendimin dhe qëndrimin tonë”, deklaroi kryeministri.
Edhe pse sistemi ishte paraparë të niste me gjoba që nga 1 janari, “Safe City” ka hyrë zyrtarisht në funksion sot. Deri tani, në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar tri iniciativa kundër këtij sistemi: një nga Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela, një nga ASH-ja e Arben Taravarit dhe një nga Ylli Paçuku, anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Kujtojmë se ligji për Kundërvajtje, si ligji kryesor mbi të cilin mbështetet ky sistem, u miratua me votat e 81 deputetëve.
