Transparenca mbetet vetëm premtim elektoral. Edhe pse Ligji është i qartë dhe afatet janë të përcaktuara, një pjesë e kryetarëve të ri të komunave, të sapodalë nga zgjedhjet lokale të nëntorit 2025, ende nuk e kanë paraqitur ose azhurnuar pasurinë e tyre në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Lista anketuese, e cila duhet të dorëzohet brenda 30 ditëve nga marrja e mandatit, për shumë funksionarë vazhdon të mbetet dokument i harruar, i plotësuar sipërfaqësisht ose fare i paparaqitur.
Praktika e vjetër e mosdeklarimit të pasurisë reale, fshehjes pas emrave të prindërve apo bashkëshortëve dhe shmangies së përgjegjësisë ligjore, po vazhdon edhe pas zgjedhjeve të fundit, duke ngritur dyshime serioze për sinqeritetin e premtimeve për luftë kundër korrupsionit. Kryetarë komunash që flasin për moral, ndershmëri dhe “punë 24/7 për qytetarët”, nuk arrijnë të respektojnë as detyrimin elementar ligjor për transparencë financiare.
Në këtë kontekst, rasti i kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski, por edhe i disa kryetarëve të tjerë nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit VLEN, hap sërish pyetjen kyçe: A është deklarimi i pasurisë një formalitet i bezdisshëm për pushtetin lokal, apo një detyrim që qëllimisht anashkalohet?
Megjithatë, tashmë është bërë praktikë e njohur plotësimi joprofesional dhe sipërfaqësor i këtyre listave anketuese. Një sjellje e tillë përbën nënçmim të drejtpërdrejtë të obligimeve ligjore dhe minon rëndë transparencën e funksioneve publike. Situata shkon deri aty sa disa funksionarë, nuk deklarojnë as vendbanim në emrin e tyre personal, as në emër të bashkëshortit apo bashkëshortes, madje as në emër të prindërve. Gjithçka fshihet “nën qilim”.
“Fillimisht njeri, pastaj kryetar komune”. Me këtë slogan zhvilloi fushatën zgjedhore në kryeqytet kandidati i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Ai arriti të ulet në karrigen e kryetarit dhe tashmë për tre muaj radhazi udhëheq qytetin. Ajo që bie në sy është fakti se kryetari aktual ende nuk e ka dorëzuar gjendjen e tij të re pasurore në afatin ligjor pranë Komisionit Antikorrupsion.
Javorja “Fokus” ka biseduar me Gjorgjievskin për këtë çështje. Ai ka deklaruar se gjatë javës do ta dorëzojë listën anketuese, duke theksuar se gjendja e tij në pasuri nuk ka pësuar ndryshime. “Për shkak të angazhimeve intensive që nga momenti kur u bëra kryetar komune dhe gjendjes së rënduar në të cilën e mora qytetin, nuk arrita ta dorëzoj listën anketuese. Këtë do ta bëj në ditët e ardhshme. Përndryshe, nuk kam asnjë ndryshim në pasurinë time, përveç faktit se tani kam një veturë”, deklaroi ai.
Nga lista e tij e mëparshme anketuese rezulton se Gjorgjievski, në emrin e tij personal, posedon dy banesa prej 67 dhe 64 metrash katrorë. Në emër të prindërve janë të regjistruara një shtëpi, një vikend-shtëpi dhe tokë ndërtimore. Janë deklaruar gjithsej tre automjete, dy në emër të Gjorgjievskit dhe një në emër të prindërve. Po ashtu, është deklaruar edhe një kredi në vlerë prej rreth 40 mijë euro, pa u saktësuar se kush është bartës i saj, me vit karakteristik 2020.
Ashtu si kryetari i Shkupit, edhe kolegu i tij partiak Darko Kostovski, i cili po udhëheq me mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Butelit, ende nuk ka dorëzuar listë anketuese pranë Komisionit Antikorrupsion. Në faqen zyrtare të komunës shkruhet: “Punoj i përkushtuar 24/7/365 për të mirën e qytetarëve të Butelit”. Nga gjendja pasurore e mandatit të kaluar shihet se Kostovski nuk ka pasuri të paluajtshme në emrin e tij personal. Ai ka deklaruar një shtëpi prej 350 metrash katrorë në Shkup, në emër të prindërve, si dhe një automjet “Mercedes C-Class” në emrin e tij. Kjo është gjendja e vjetër pasurore, e reja ende nuk ka mbërritur në adresën e antikorrupsionit.
Në listë janë edhe kryetarët e komunave nga partnerët koalicionues të VMRO-DPMNE-së, përkatësisht nga koalicioni VLEN. Mjaft debat publik u shkaktua rreth zgjedhjes së kryetarit të Komunës së Çairit, ku betejën zgjedhore e fitoi ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Nga lista anketuese që ai ka dorëzuar në Komisionin për Antikorrupsion, rezulton një gjendje pasurore relativisht modeste, të paktën në letër. Në emrin e tij personal nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme – prindërit e tij posedojnë një shtëpi në Çair, ndërsa ai vetë ka deklaruar vetëm një automjet dhe pagën si të ardhura personale.
Ndryshe nga Mexhiti, lideri i Lëvizjes BESA, njëherësh kryetar i Tetovës, Bilall Kasami, ka një listë më të pasur. Megjithatë, edhe ai nuk posedon shtëpi apo banesë në emrin e tij personal. Kjo dukuri tashmë është shndërruar në një lloj “tradite”, ku funksionarët publikë dalin si të pastrehë në letra, ndërsa e gjithë pasuria figuron në emër të prindërve. Prindërit e Kasamit posedojnë banesa, shtëpi dhe toka bujqësore në Llërcë dhe Tetovë. Pasuria e paluajtshme në emër të prindërve, si dhe një tokë bujqësore në emër të bashkëshortes në Pallçishtin e Poshtëm, kap vlerën mbi 250 mijë euro. Po ashtu, në emrin e tij personal nuk është deklaruar asnjë automjet ato figurojnë në emër të bashkëshortes dhe prindërve. Lista anketuese tregon se personalisht ai posedon disa llogari valutore.
