Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj kritikave për Ligjin “Safe City”, duke sqaruar në mënyrë indirekte edhe përfitimet reale që kjo qeveri po ua sjell qytetarëve në jetën e përditshme.
Sipas logjikës së re qeveritare, është e vërtetë që “Safe City” do t’i zbrazë xhepat e qytetarëve me gjoba të majme, por shteti e ka menduar gjithçka me kujdes. Nëse, për shembull, një qytetar merr një dënim simbolik prej 300 eurosh, nuk ka arsye për panik – sepse shteti tashmë i ka hapur afër shtëpisë një zyrë për kredi të shpejta.
Me vetëm një letërnjoftim, qytetari mund të marrë 1.000 euro. Prej tyre, 300 euro shkojnë për pagesën e gjobës, ndërsa 700 euro të mbetura i shërbejnë mirëqenies psikologjike dhe argëtimit. Për këtë, qeveria ka menduar edhe pjesën tjetër të infrastrukturës: kazinonë, po ashtu, e ke poshtë shtëpisë.
Ndërkohë, burime jozyrtare bëjnë të ditur se po përgatitet edhe një ligj i ri për ndëshkimin e duhanpirësve. Por edhe këtu qytetarët nuk duhet të shqetësohen – sepse pjesa e mbetur nga kredia, sipas këtij modeli ekonomik inovativ, mjafton për të mbuluar edhe këtë “sfidë”.
Kështu, “Safe City” nuk është thjesht një projekt sigurie, por një paketë e plotë ekonomike: gjoba, kredi, kazino dhe ligje ndëshkuese – të gjitha të menduara për një qarkullim të shëndetshëm të parave dhe për një qytetar gjithmonë aktiv financiarisht.
