Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Aggeler, pasdite ka publikuar një Letër të Hapur, duke përshëndetur popullin e Maqedonisë së Veriut para largimit nga pozita e ambasadores.
“Miqtë e mi të dashur, tre vjet më parë, mbërrita në Shkup si ambasadori i dhjetë i ShBA-së në këtë vend të bukur. Isha, dhe ende jam, e përulur dhe thellësisht e nderuar nga privilegji i jashtëzakonshëm i përfaqësimit të kombit tim të madh në tuajin”, thuhet ndër të tjera në Letrën e Hapur që u publikuan nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.
Ambasadorja në largim e vlerësoi forcën dhe guximin e popullit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar që ky vlerësim është përforcuar gjatë këtyre viteve.
Në këtë letër numërohen edhe disa nga projektet e realizuara, si blerjen e pajisjeve ushtarake në RMV me ndihmën e ShBA-së dhe ndërtimi i korridorit 8 dhe 10.
Ndryshe, administrata e Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, po tërheq gati 30 ambasadorë dhe diplomatë nga ambasadat amerikane në të gjithë botën, të emëruar nga paraardhësi i tij, Joe Biden. Ambasada e SHBA-së në Shkup ka paralajmëruar se Ambasada do të vazhdojë të funksionojë normalisht gjatë tranzicionit ambasadorial.
Angela Ageler u betua si ambasadorja e re e ShBA-së në Maqedoninë e Veriut në një ceremoni në Departamentin e Shtetit të ShBA-së në shtator 2022, dhe në fillim të nëntorit të të njëjtit vit ajo mori detyrën dhe ia dorëzoi kredencialet e saj presidentit të atëhershëm Stevo Pendarovski.
