Drejtoria e të Ardhurave Publike nën llupë: Dyshime për bashkëpunim të nëpunësve në evazion tatimor

Inspektorë tatimorë, zëvendësit e tyre, udhëheqës të sektorëve të ndryshëm në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) gjatë tre viteve të fundit kanë qenë pjesë e një sërë skandalesh që kanë zbuluar skema të organizuara për vjedhje nga thesari i shtetit përmes rimbursimeve fiktive të TVSH-së, evazionit tatimor, mashtrimit tatimor, keqpërdorimit të autoritetit zyrtar dhe korrupsionit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Rezultat i krimit institucional janë dhjetëra miliona euro që përfunduan në llogari private në vend që të derdheshin në buxhetin e shtetit, nxjerrin në pah hetimet e deritanishme të Prokurorisë. Ekspertët tatimorë mendojnë se keqpërdorimet e tilla e rrënojnë edhe më shumë besimin në sistemin tatimor dhe e rrisin jotransparencën fiskale.

Hetimi më i madh lidhur me DAP-in
Vetëm në hetimin e fundit të prokurorisë së Shkupit u përfshinë 20 persona, në mesin e të cilëve 11 punonjës dhe udhëheqës në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Ata dyshohen për evazion fiskal, pastrim parash dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Nga Prokuroria thonë se punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe pronarët e dyshuar të kompanive së bashku e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 4,8 milionë euro.

Hetimi i prokurorëve nxorri në pah se skema me fatura fiktive, kompani të dyshimta, taksa të papaguara dhe kërkesa për rimbursim nuk mund të ishte realizuar pa mbështetjen e punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Sipas tyre disa nga të dyshuarit kanë dorëzuar deklarata të rreme tatimore për të cilat nëpunësit shtetërorë kanë “mbyllur njërin sy” dhe u kanë miratuar shmangien e shlyerjes së tatimeve ndaj shtetit.

“Pronarët dhe menaxherët e dyshuar të personave juridikë me deklarata të rreme kanë kërkuar, ndërsa punonjësit e dyshuar kanë miratuar rimbursime të pabazuara tatimore për personat juridikë jorezidentë, me çka kanë shkaktuar dëm në buxhet prej 31 milionë denarësh”, thuhet në deklaratë.

Nga DAP-i pretendojnë se kanë “zero tolerancë ndaj korrupsionit” dhe se po bashkëpunojnë plotësisht me prokurorinë. Përderisa po vijojnë procedurat institucionale dhe ligjore nga DAP theksojnë se janë marrë masa në kohë për funksionimin e rregullt të institucionit dhe stabilitetin e proceseve të punës në njësinë organizative të prekur.

Organizatat sindikale të punonjësve të DAP-it thonë se janë kundër çdo sjelljeje korruptive dhe nuk justifikojnë ose mbështesin asnjë veprim të paligjshëm nga asnjë punonjës i DAP-it. Por, siç thonë në deklaratën e sotme, ato kërkojnë një definim të qartë të veprave.

“Si organizata sindikale shprehim shqetësim për ngjarjet në të cilat janë të përfshirë punonjës të DAP-it, sidomos për zbulimin publik të informacionit, komenteve dhe kualifikimeve që mund të krijojnë përshtypjen e fajit të paracaktuar dhe dënimit paraprak të nëpunësve tatimorë pa një vendim gjyqësor të plotfuqishëm”, thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas analistëve tatimorë skemat në të cilat punonjës të administratës tatimore janë të përfshirë në mashtrime dhe evazion në të shumtën e rasteve flasin për dobësi strukturore në procedurat administrative, por edhe në sistemet kryesore të kontrollit që lejojnë keqpërdorime, e jo vetëm për gabime individuale. Sidomos nëse e marrim parasysh faktin se në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për grupe të organizuara siç janë skandalet e fundit, thotë eksperti tatimor Pavle Gacov.

“Pra, bëhet fjalë për një kërcënim serioz për sundimin e ligjit. Ligji, nga minimi i besimit të institucioneve, Drejtoria e të Ardhurave Publike megjithatë duhet ta mbrojë pronën shtetërore, domethënë, t’i mbledhë të ardhurat në buxhet, gjithashtu t’i kushtojë vëmendje shpenzimeve kur bëhet fjalë për taksapaguesit e kështu me radhë”, thotë ai.

Gacov shton se në një kontekst të tillë padyshim nevojiten përmirësime të sistemit, prezantim i kontrolleve të rregullta të brendshme dhe të jashtme brenda institucioneve, pastaj i organeve të zgjedhura që do të pranojnë raportime anonime. Por, siç shton ai, ajo që është më e rëndësishme është digjitalizimi i proceseve.

“Dhe edhe më e rëndësishmja, të zvogëlohet vendimmarrja diskrecionare e individëve brenda institucioneve. Nuk po flas vetëm për Drejtorinë e të Ardhurave Publike, ato tani janë aktualë, apo jo, por me sa duket edhe në organe të tjera janë transferuar shumë kompetenca të vjetra diskrecionare që u japin disa individëve që që nuk janë aq të moralshëm një mundësi për të fituar pasuri personale në kurriz të minimit të reputacionit të institucionit në të cilin punojnë”, shpjegon ai.

Drejtori i Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski, qëllimi kryesor i të cilit si institucion është të kujdeset për buxhetin e shtetit, thotë se numri më i madh i veprave penale të zbuluara nga policia në vitin 2024 dhe 2025 kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, përvetësimin e fondeve dhe punën e pandërgjegjshme në institucione.

Në një intervistë të realizuar pak kohë më parë me portalin MKD.mk ai shpjegon se krimi institucional po bëhet një problem gjithnjë e më serioz, i cili ka pasoja mjaft të rënda për besimin e qytetarëve tek shteti.

“Numri më i madh i rasteve në të cilat punojmë burojnë nga dobësitë sistemike, kontrolli i pamjaftueshëm, mekanizmat e dobët preventiv ​​dhe shpesh mungesa e përgjegjësisë personale tek individët që menaxhojnë me burimet publike. Ajo që është e përbashkët për shumë nga veprat penale është fakti se ato mund të ishin parandaluar nëse do të kishte pasur kontrolle të brendshme më rigoroze, transparencë dhe reagim në kohë ndaj aktiviteteve të dyshimta”, thotë drejtori i Policisë Financiare, Ivanovski.

Inspektorë tatimorë e kanë paralajmëruar pronarin e “Pulse”
Për lëshimet sistemike në Drejtorinë e të Ardhurave Publike flet edhe rasti i zjarrit që shpërtheu në diskotekën “Pulse” të Koçanit, në të cilin jetën e humbën 63 të rinj dhe u lënduan rreth 200 të tjerë. Krahas hetimit kryesor për shkaqet dhe kushtet që e shkaktuan zjarrin, Prokuroria hapi edhe një hetim tjetër të veçantë në të cilin më 20 nëntor u ndaluan 11 persona.

Tetë prej tyre janë inspektorë tatimorë dhe udhëheqës të drejtorive që për një ryshfet të caktuar e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe për vite me radhë e kanë paralajmëruar pronarin e “Puls” për kontrollet e jashtëzakonshme tatimore dhe i kanë mundësuar atij të punojë pa llogari fiskale.

“Për një periudhë të gjatë kohore pronari i “Puls” me me vetëdije dhe qëllimisht gjatë kontrolleve të Drejtorisë të të Ardhurave Publike ka paraqitur pajisje fiskale të manipuluar me raporte fiskale kontrolluese me të dhëna të rreme, të cilat i ka përdorur si të vërteta me qëllim shmangien e gjobave dhe për mbylljen e objektit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me “Zinxhirin” në paraburgim përfunduan 15 punonjës të DAP-it

Por këta nuk janë të vetmit punonjës tatimorë që përfunduan pas hekurave. Në vitin 2024 në paraburgim përfunduan 15 punonjës të Inspektoratit të Përgjithshëm Tatimor të DAP-it dhe Drejtorive Rajonale të DAP-it në Shkup, Manastir dhe Prilep, si të dyshuar në hetimin e zgjeruar të rastit “Zinxhir”.

Bëhet fjalë për një lëndë në të cilën i dyshuari kryesor është Ljupço Pecov-Gjavollot. Prokuroria e akuzon Pecovin dhe të dyshuarit e tjerë për dëmtim të buxhetit të shtetit për rreth 8 milionë euro përmes një rrjeti prej 28 kompanive dhe faturave fiktive.

Shumica e punonjësve tatimorë të ndaluar janë njerëz që janë në pozicione udhëheqëse në sektorët e DAP-it.

Gacov: Paratë janë karburanti i korrupsionit
Analistët thonë se këto hetime hapin një çështje sistemike në lidhje me kontrollin e brendshëm, përgjegjësinë politike dhe efektivitetin e mekanizmave kundër korrupsionit.

“Këto tani janë zbulime të krimit. Ne as nuk mund të mburremi se kemi qenë një vend ku morali tatimor, si nga ana e institucioneve ashtu edhe nga ana e taksapaguesve, ka qenë shumë i lartë. Kjo është arsyeja se pse mbledhja e taksave dhe ekonomia gri, jo rastësisht, janë gjithmonë në një të tretën. Kjo tregon se sistemi ka mangësi”, thotë Gacov.

Një nga mënyrat për ta luftuar këtë fenomen është digjitalizimi i procedurave dhe eliminimi i parave të gatshme nga transaksionet e pagesave. Sipas të dhënave të Bankës Popullore përdorimi i parave të gatshme nuk është në rënie dhe “është karburanti i korrupsionit”, thotë Gacov.

Sipas analizës së fundit të publikuar nga Qendra për Analiza Ekonomike buxheti i Maqedonisë mbledh 17% të Produktit Vendor Bruto (PVB) në të ardhura tatimore, një përqindje që ka qenë praktikisht konstante gjatë dy dekadave të fundit. Por, krahasuar me vendet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian, kjo mesatare është më e ulët pasi tek ato sillet nga 25-50%.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Trump ia shtrëngon duart Osmani pasi e nënshkruan rezolutën inauguruese të Bordit të Paqes

Presidenti amerikan, Donald Trump e nënshkroi rezolutën inauguruese që do të përcaktojë mandatin e Bordit të Paqes për Gazën. Me liderët pjesëmarrës prapa, Trump hodhi...

“Ilirin e kam dashur më shumë se ai mua”, Monika Kryemadhi tregon se a ka gjetur dashurinë e re pas ndarjes nga Meta

E drejtpërdrejtë dhe pa hezitim në deklarata, Monika Kryemadhi po shfaqet para publikut edhe në rolin e opinionistes në Big Brother VIP Albania, ku...

Rama arsyeton mungesën e tij në Davos: Zgjodha vajzën, para babait

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u është përgjigjur në seancë plenare deputetëve të opozitës lidhur me mungesën e tij në Davos, për të nënshkruar...

Projektligji kalon në Kongres, SHBA kërkon përgjegjësi nga Beogradi për trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar të mërkurën vonë për ta çuar përpara një projektligj, i cili do...

Trump publikoi fotografi ku Kanadaja dhe Grenlanda shihen si pjesë e Amerikës

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar politikën e zgjerimit territorial, duke shpërndarë fotografi në rrjetin e tij social Truth Social që sugjerojnë kontroll amerikan...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu