Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të mërkurën se kishte rënë dakord të bashkohej me Këshillin e Paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, pas debateve dhe kritikave nga kabineti i tij mbi përbërjen e komitetit ekzekutiv të institucionit. Vendimi vjen pas një ftese të drejtpërdrejtë nga Trump, të cilën Netanyahu e ka pranuar zyrtarisht, sipas një deklarate nga zyra e tij, raportoi Guardian.
Këshilli i paqes i udhëhequr nga Trump fillimisht u konceptua si një grup i vogël udhëheqësish botërorë përgjegjës për mbikëqyrjen e një plani armëpushimi në Rripin e Gazës, por sipas ekspertëve, ambiciet e administratës amerikane duket se janë zgjeruar në një iniciativë më të gjerë diplomatike, që synon të përfshijë vendimmarrësit nga rajone të ndryshme të botës për të ndikuar në zgjidhjen e konflikteve dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Detaje të tjera dhe përbërja e plotë e Bordit pritet të bëhen të ditura gjatë njoftimit që Trump do të bëjë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku pritet të prezantojë strategjinë dhe planet e këtij institucioni.
Ndërkohë, në një përpjekje për të përfshirë vendet e Ballkanit, Kosova dhe Shqipëria janë ftuar të jenë pjesë e Bordit.
