Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka bërë një pranim befasues që ngre pikëpyetje serioze për fatin e Ballkanit: Moska dhe Uashingtoni janë në dialog për çështjet e Ballkanit, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vende të tjera të rajonit.
Deklarata është bërë për agjencinë shtetërore ruse TASS, ku Lavrov ka konfirmuar se kontaktet me Shtetet e Bashkuara ekzistojnë, edhe pse – sipas tij – ende nuk kanë prodhuar “rezultate konkrete apo pozitive”.

“Ka më shumë mundësi për kontakte me Shtetet e Bashkuara në Ballkan, veçanërisht lidhur me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe vende të tjera të rajonit,” ka deklaruar Lavrov, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Çfarë po negociohet dhe kush është jashtë tryezës?
Edhe pse Moska nuk ka zbuluar temat konkrete të bisedimeve, fakti që dy fuqitë e mëdha flasin për Ballkanin pa praninë e vendeve të rajonit ka ringjallur frikën e skenarëve të vjetër: pazare gjeopolitike mbi kurrizin e shteteve të vogla.
Veçanërisht shqetësues është përmendja e Bosnjë dhe Hercegovinës, një shtet ende i brishtë institucionalisht, ku çdo ndërhyrje apo marrëveshje e madhe ndërkombëtare mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin rajonal.
Sinjal alarmi për Ballkanin Perëndimor
Ky zhvillim vjen në një moment kur:
• procesi i zgjerimit të BE-së është i bllokuar,
• ndikimi rus në rajon po rritet,
• dhe fuqitë e mëdha po rikthehen te logjika e sferave të influencës.
Pranimi publik i Lavrovit nuk është thjesht deklaratë diplomatike – është sinjal alarmi se Ballkani po rikthehet sërish në tavolinat e mëdha, jo si subjekt, por si objekt.
