Kryetari i Degës së BDI-së në komunën e Strugës, Faton Pollozhani, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili kishte deklaruar se nuk ekzistojnë kuadro të përshtatshme për pozita udhëheqëse.
Sipas Pollozhanit, një deklaratë e tillë përbën “justifikim të ulët për dështimin dhe kapjen partiake të institucioneve”. Ai thekson se aktualisht në Policinë e Ohrit dhe të Strugës nuk ka asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, gjë që, sipas tij, nuk lidhet me mungesë kuadrosh, por me një politikë të qëllimshme përjashtuese.
“Ekzistojnë të paktën pesë kuadro shqiptarë me përgatitje profesionale dhe përvojë të dëshmuar, të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për pozitën e Kryeshefit të Qendrës Rajonale – Perëndim për punë kufitare”, thuhet në reagimin e Pollozhanit.
Ai vlerëson se mohimi i këtij fakti tregon se zëvendësministri nuk vepron si garant i barazisë, por si “filtër partiak që selekton kuadro sipas bindjeve politike”.
Sipas Pollozhanit, kjo qasje përbën shkelje të parimit të barazisë dhe dëmton interesin publik, ndërsa përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet kyçe shtetërore është, siç thotë ai, dëshmi e paaftësisë politike të atyre që pretendojnë se i përfaqësojnë.
