Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryekuvendarja serbe, Ana Bërnabiç, kanë vendosur të shmangin takimet me delegacionin e Parlamentit Evropian, në kuadër të procesit të vlerësimit të progresit të Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nën pretendimin se eurodeputetët do të vijnë “të paftuar” në Beograd.
“Urrejtësit e Serbisë ranë dakord të vijnë në Beograd. Nuk na pyetën dhe as nuk na informuan. Ne nuk i thirrëm. Ata vijnë të paftuar”, deklaroi Vuçiç. “Kam edhe angazhime jashtë vendit, por edhe nëse do të isha në Beograd, nuk do t’i takoja ata”.
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, demantoi autokratin serb, duke theksuar se Ambasada e Serbisë në Bruksel ishte e informuar për vizitën. Ai shtoi gjithashtu se delegacioni është koordinuar edhe me autoritetet në Beograd.
“Pse autoritetet zgjodhën këtë lloj bojkoti, do të thosha se ka të bëjë me shmangien e përballjes me ata që janë çelësi për të vendosur hyrjen e Serbisë në Bashkim Evropian”, nënvizoi Picula. “Kjo është një situatë e re për shumicën e kolegëve të mi. Unë edhe më herët jam përballur me këtë lloj bojkoti, por këtë herë kjo porosi ka një peshë shtesë”.
Delegacioni i Parlamentit Evropian do të qëndrojë në Beograd nga 22 deri më 24 janar, ndërsa presidenti serb do të jetë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.
