Këshilltari i Këshillit të Komunës së Strugës nga fshati Veleshtë, Armend Reçi, ka reaguar publikisht pas paraqitjeve në Karnavalet e Vevçanit, të cilat sipas tij kanë stigmatizuar dhe ofenduar rëndë banorët e Veleshtës.
Në një status në Facebook, Reçi ka shkruar se në karnaval janë paraqitur “skena satire ironike që tallin dhe stigmatizojnë fshatin Veleshtë dhe banorët e saj, duke simuluar përdorimin e lëndëve narkotike dhe duke na etiketuar padrejtësisht si të përfshirë në veprimtari kriminale”.
Sipas tij, këto paraqitje kanë cenuar dinjitetin, krenarinë dhe reputacionin e komunitetit të Veleshtës.
“Veleshta sot krenohet me bijtë dhe bijat e saj, brenda dhe jashtë vendit, të cilët me punë, dije dhe ndershmëri kontribuojnë në fusha të ndryshme si arsimi, mjekësia, inxhinieria, teknologjia, biznesi dhe ekonomia. Çdo përpjekje për ta njollosur këtë realitet është e padrejtë dhe e papranueshme”, ka theksuar Reçi.
Armend Reçi ka kërkuar që organizatorët e Karnavaleve të Vevçanit të mbajnë përgjegjësi morale dhe publike për këtë veprim dhe të kërkojnë falje zyrtare nga banorët e Veleshtës.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa përkatëse, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen dhe të parandalohet çdo formë diskriminimi apo nënçmimi kolektiv.
“Nuk jemi kundër Ditës së Karnevalit të Vevçanit, por mënyra e manifestimit duhet të ndalet aty ku fillon cenimi i dinjitetit, krenarisë dhe identitetit të tjetrit”, ka përfunduar Reçi.
