Këngëtari i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, duke tronditur publikun dhe botën artistike në mbarë rajonin, përcjell TV21. Lajmi i hidhur ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa figura të njohura të skenës muzikore dhe të jetës publike kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre për humbjen e artistit.
Kolegia dhe mikja e tij, Rovena Stefa, reagoi me një mesazh të ndjerë:
“Dhimbje e thellë humbja e mikut tim, kolegut tim të dashur e shpirtbardhë, Shpat Kasapi! Ngushëllime familjes! Qoftë i parajsës!”
Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, shprehu dhimbjen e tij përmes një reagimi emocional:
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të Shpat Kasapit. U prehtë në paqe një djalë i talentuar, i dashur, i sjellshëm dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohën. Ngushëllime të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë miqve të tij. Zoti u dhëntë forcë në këtë kohë të rëndë. Zoti i faltë Xhenetin!”
Kreu i Lidhjes Demokratike të Tetovës, Izet Mexhiti, theksoi boshllëkun e madh që ka lënë pas artisti:
“Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij… Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe.”
Ndërsa kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, e cilësoi humbjen si një goditje të rëndë për qytetin:
“Tetova humbi birin e saj dhe një artist të madh, i cili ndër vite ka qëndruar në majat e suksesit! Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë qytetarëve të Tetovës për këtë humbje kaq të madhe! Allahu e shpërbleftë me xhennet!”
Moderatorja e njohur Arbana Osmani kujtoi bashkëpunimet e hershme me Shpatin:
“Lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të Shpat Kasapit… Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera.”
Edhe këngëtarja Big Mama shprehu dhimbjen e saj me një mesazh tejet prekës:
“O Shpati bre… nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë… Do të më mungosh përgjithmonë, vëlla. Prehu në paqe.”
Shpat Kasapi, një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, lë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kujtime të paharrueshme për publikun që e ka ndjekur për vite të tëra.
