(Fjalim zyrtar për 28 & 29 Nëntorin nga Denion Meidani, Ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut)
E nderuara Presidente,
I nderuar Kryetar i Parlamentit,
Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar miq të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar,
Të dashura familje të dëshmorëve ketu në sallë.
Fort të dashur bashkëkombas,
Sonte jemi mbledhur për të nderuar ditët më të shenjta të kujtesës sonë historike 28 dhe 29 Nëntorin.
Dy data që nuk kanë vetëm peshën e historisë, por thellësinë e identitetit, lotin e sakrificës dhe dritën e një amaneti të trashëguar brez pas brezi.
Sonte jemi mbledhur për të nderuar shpirtin e një populli që kurrë nuk u dorëzua. Një populli që u sfidua, por kurrë nuk u thye. Një populli që, si Mali i Sharrit, qëndroi përballë furtunave të historisë dhe tha: Ne jemi këtu. Ne do të qëndrojmë. Dhe do të ecim përpara.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, lindi Shqipëria e LIRË, e PAVARUR dhe MËVEHTE.
Lindi një ëndërr që e kishte ndezur zjarrin kohë më parë në zemrat e rilindësve, të poetëve, të luftëtarëve, të mësuesve të paepur të fjalës shqipe.
Dhe atë ditë, kur flamuri shqiptar u valvit ne ate ballkon ne Vlorë, lindi politikisht një shtet, i nje kombi të lashtë sa vet koha. Një shtet që deri atëherë kishte jetuar vetëm në këngë, legjenda, besë dhe gjak. Lindi një shtet që nuk do të shuhet kurrë.
29 Nëntori është dita kur liria rimori kuptimin e plotë të fjalës së saj, kur Shqipëria u çlirua nga pushtimi nazifashist.
Këto dy data flasin për një popull që nuk pranoi kurrë të përkulet, për një popull që nuk e mbajti kurrë lirinë të huaj, por e fitoi vetë, me gjakun e bijve dhe bijave të tij, çdo herë nevoja ja kerkoi.
Ne sot jemi këtu sepse dikush dikur besoi. Dikush dikur sakrifikoi. Dikush dikur u flijua, që sot të ecim ballëlartë në dritë.
Le të kujtojmë gjyshet e gjyshërit tanë, të cilët me duar të lodhura, por me zemër të fortë, bartën Shqipërinë në krahë ndër shekuj. Unë kujtoj sot me mirënjohje gjyshen time të ndjerë, nonën time, e cila u nda nga jeta këtë behar. Një vajzë që u rreshtua në Luftën Nacional-Çlirimtare që në moshën 14-vjeçare. Një fëmijë që mbante pushkën më të rëndë se trupin. Një grua që besoi dhe frymoi amanetin se Shqipëria duhet të jetë e lirë, e drejtë, e denjë.
Ajo nuk fliste shpesh për veten, sepse ai brez nuk dinte të lavdërohej. Por thoshte gjithmonë se nuk kishte sakrificë më të madhe dhe as më të bukur sesa t’i dhuroje brezave të ardhshëm mundësinë të jetonin krenar e me dinjitet.
Dhe sonte, ndërsa qëndroj këtu përpara jush si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, ende e ndiej peshën e atij amaneti, për ta mbajtur flamurin drejt, edhe kur era fryn kundër, sepse ky flamur mban brenda rrahjet e zemrave të atyre që nuk pranuan kurrë të dorëzohen.
Sonte dua të flas dhe për një tjetër ëndërr – atë të shqiptarëve këtu, në Maqedoninë e Veriut. Nga hera, shqiptarët e këtij vendi kanë aspiruar jo ndasi, por dinjitet, të drejta, arsim, gjuhë, barazi reale dhe liri qytetare. Ata sot, shtetformues, shkelqejnë në ekonomi, diplomaci, kultur, art, sport e kudo.
Shqiptaret që kam gjetur këtu janë ura, jo mure. Ata janë dritë, jo hije. Janë shpresë e progres.
Ndonjëherë dëgjoj ende zëra që thonë se e kaluara është e largët, se historia është kapitull i mbyllur, se flamuri është simbol muzeal.
Por sonte ju them me bindje, se popujt që harrojnë sakrificën humbasin dinjitetin, dhe se kombet që humbin kujtesën humbasin rrugën.
Ne jemi mbledhur sot se besojme se e ardhmja ndërtohet vetëm mbi vlera të forta, vlera evropiane! Se besojme se kur nuk ka drejtësi nuk ka paqe. Se pa barazi nuk ka dinjitet. Se pa unitet nuk ka progres. Ne jetojmë sot në një rajon që ka paguar çmimin e ndasive, të konfliktit, të frikës.
Por jam besimplotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, krah për krah, po punojnë për të ndërtuar një model të ri, një model fqinjësie, bashkëpunimi, respekti dhe vizioni evropian.
Evropa, miqtë e mi, nuk është një stacion ku mbërrijmë duke numëruar trenat që largohen dhe që vijnë.
Integrimi evropian nuk është ftesë për privilegj, por betim për përgjegjësi, reformë, transparencë dhe ligj. Është rruga e vetme për zhvillim, stabilitet dhe paqe.
Askush nuk na e dhuron. Asgjë nuk vjen pa punë, pa mund, pa sakrificë.
Dhe në këtë udhë të gjatë, unë besoj me të gjithë forcën time se Ballkani i së ardhmes nuk do të jetë më një kapitull i konflikteve, por një kapitull i Evropës së bashkuar.
Le të mos harrojmë për çfarë luftuan ata që dhanë jetën:
Jo për urrejtje, jo për kufij, as per ndasi! Por për të drejtën e çdo njeriu për të jetuar me dinjitet dhe krenar.
Le ta ruajmë paqen, të mbrojmë vlerat demokratike, të synojmë familjen evropiane, të nderojmë flamurin jo me fjalë, por me vepra.
Flamuri nuk valëvitet vetë, e valëvitin ata që besojnë.
E valevitim ne!
Gëzuar Ditët Kombëtare, Shqipëri.
Lavdi të rënëve për liri.
