Zyrtarja e LDK-së, Janina Ymeri, ka ashpërsuar kritikat ndaj Qeverisë Kurti, duke e akuzuar se po i kanalizon paratë publike drejt kompanive të lidhura me biznesmenin serb Vuk Hamovic, të cilin ajo e lidh me qendrat më të ndjeshme të vendimmarrjes në Beograd.
Ymeri tha se sjellja e qeverisë në menaxhimin e krizës energjetike është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e rrezikshme për sigurinë ekonomike të vendit.
“Këta, një metër me pas shtruar asfalt e një me vjedh, nuk kishin përfituar më shumë sesa me energji. Deri në një milion euro në ditë shkon importi i energjisë. Paratë e qytetarëve po shkojnë drejt kompanive të lidhura me djalin e shefit të armatës serbe,” – ka deklaruar Ymeri.
Sipas saj, vendimet e qeverisë lidhur me importin e energjisë janë bërë pa transparencë dhe pa studim të duhur, duke e lënë Kosovën të varur nga rrjetet rajonale dhe duke e ekspozuar financat publike ndaj abuzimeve masive.
Ymeri kërkoi hetim të plotë për kontratat energjetike, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë “pse Kosova paguan shuma marramendëse ndërkohë që prodhimi vendor neglizhohet dhe investimet strategjike mungojnë”.
