40 vite muzikë, 40 vite guxim dhe art, një udhëtim i pasur që vetëm një artiste si Adelina Ismaili mund ta ofrojë.
Një karrierë që ka tronditur skenën dhe ka përfshirë çdo gjeneratë, duke e bërë Adelinën një figurë të dashur për të gjithë. Nga fillimet e saj, me tituj të pafund dhe skandale që i dhanë formë imazhit të saj, Adelina ka lënë një shenjë të pashlyer në muzikën shqiptare.
Për këtë jubile të veçantë, Adelina ka vendosur të sjellë një koncert madhështor, që nuk është vetëm një shfaqje, është kurorëzimi i një epoke të tërë, e ndërtuar nga një grua që ka thyer çdo rregull dhe ka ngritur standarde që ende mbeten të pathyeshme.
Përgatitjet për këtë spektakël janë në kulmin e tyre dhe gjithçka po ndërtohet me kujdesin që i takon vetëm një dive të vërtetë. Ky koncert është një mundësi për të ripërjetuar 40 vite muzikë, që do të sjellin çdo moment të paharrueshëm të karrierës së saj.
Përzgjedhja e këngëve për këtë koncert nuk është një detyrë e lehtë. Çdo këngë ka një histori të sajën, një moment të jetuar, një rebelim të shprehur. Zgjedhja e këngëve për këtë natë do të jetë një përmbledhje e pasionit dhe forcës që Adelina ka sjellë për 40 vite.
