Policia ende nuk po mund ta gjejë Remzi Miftarin, i dënuar me 10 vite burg për aksidentin me autobus në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona. Miftari duhej të shkonte në burg që në muajin maj, përcjell TV21. Policia e Tetovës nuk e gjeti në shtëpi. Në pyetjen e portalit SDK nëse është e mundur që Remzi Miftari ka ikur nga Maqedonia për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit, nga policia thanë se pikat kufitare kanë njoftuar se ai nuk e ka lëshuar shtetin, prandaj dyshohet se fshihet diku brenda vendit.
Në shtëpi nuk është, dhe kërkimet po zhvillohen në disa lokacione. Përndryshe, dy të dënuarit, Miftari dhe Beluli e kanë shtyrë hyrjen në burg për 7 muaj. Të dy në të njëjtën kohë kanë kryer operacion nga hernia në testikuj. Për Remzi Miftarin, person përgjegjës për transportin në “Durmo Turs”, afati për shtyrjen e dënimit ka kaluar prej kohësh, ndërsa pronari i kompanisë, Durmish Beluli, ka marrë shtyrje të re, tani deri më 1 dhjetor 2025. Pas skadimit të shtyrjes, edhe ai duhet të paraqitet në “Idrizovë”./tv21.tv
