Një nga projektet më të përfolura të Shkupit, mbikalimi i këmbësorëve te Bit Pazari, është rikthyer në qendër të debatit — këtë herë nga vetë njeriu që e ndërtoi. Kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në një deklaratë ekskluzive për emisionin “Hajde flasim” në TV21, premtoi se do ta largojë mbikalimin ekzistues dhe do ta zëvendësojë me vendkalim për këmbësorë me semaforë.
Por ironikisht, ky është i njëjti mbikalim që u ndërtua gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Çairit, rreth viteve 2008–2009, si projekt “modern” që atëherë u promovua si simbol zhvillimi.
Në intervistën e tij, Mexhiti deklaroi se projekti i urës nuk ka dhënë rezultatet e pritura, pasi qytetarët nuk e përdorin.
“Psikologjia e njeriut është që nuk do as mbikalim, as nënkalim. Edhe esnafët e Çarshisë thonë se dyqanet që kanë nja dy shkallë nuk e kanë vlerën e atyre që janë në nivel të rrafshët,” u shpreh ai.
Mexhiti shtoi se kishte propozuar madje edhe zgjidhje me ashensorë dhe shkallë elektrike, por, sipas tregtarëve të Bit Pazarit, edhe ato do të ishin investim i kotë.
Si zgjidhje përfundimtare, ai tha se planifikon largimin e urës aktuale dhe ndërtimin e një vendkalimi zyrtar me semaforë, duke theksuar se “Komuna e Çairit nuk ka shpenzuar asnjë denarë” për ndërtimin e mbikalimit, pasi “ai është bërë në këmbim të hapësirës për reklama me kompaninë Akzent Media”.
Megjithatë, të dhënat e arkivuara dhe raportimet mediatike të asaj kohe tregojnë se projekti i urës është realizuar në periudhën 2008–2009, gjatë kohës kur Mexhiti ishte kryetar i Komunës së Çairit. Në atë periudhë, mbikalimi u prezantua si investim strategjik për rritjen e sigurisë së këmbësorëve dhe zhvillimin urban të zonës së Bit Pazarit.
Sipas të dhënave nga arkivat e prokurimeve dhe burimeve komunale, ndërtimi u financua përmes marrëveshjeve publike dhe të drejtave për reklama, ndërsa miliona denarë nga fondet publike u përdorën për përgatitjen dhe realizimin e projektit.
Sot, i njëjti projekt që dikur i solli kapital politik Mexhitit, po përshkruhet prej tij si “investim i kotë” dhe “dështim urbanistik”.
Deklarata e fundit ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale. Shumë qytetarë e kanë cilësuar qëndrimin e Mexhitit si “pa pikë turpi” dhe “hipokrizi politike”, duke kujtuar se dikur mbikalimi përdorej si simbol i suksesit të tij komunal, ndërsa sot paraqitet si pengesë.
Një qytetar shkruan në rrjete:
“Dikur na e shiste si projekt modern i Çairit, sot thotë se do ta shembë. Po kush e ndërtoi, kush e firmosi, kush i hargjoi ato miliona?”
Mbikalimi i Bit Pazarit, që dikur u ndërtua me bujë si shembull i zhvillimit të Çairit, sot po bëhet objekt premtimi për t’u shembur — nga i njëjti njeri që e promovoi dhe e ndërtoi.
Një kthesë që, për shumëkënd, tregon më shumë për mënyrën se si trajtohet kujtesa urbane dhe përgjegjësia publike, sesa për nevojat reale të qytetarëve.