Vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 19 tetorit, dhe fushata elektorale po bëhet gjithnjë e më e nxehtë, sidomos në kampin politik shqiptar. Gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ashpër në javët e fundit në komunat kyçe si Tetova dhe Çairi, të cilat do të jenë vendimtare për të ardhmen politike të aktorëve kryesorë.
Beteja në këto dy komuna shihet si “vdekje a liri” për Aleancën Kombëtare për Integrim dhe Ali Ahmetin, dhe për koalicionin VLEN, të udhëhequr nga Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Humbja në njërën nga këto komuna do të kishte pasoja fatale për njërin kamp, për shkak të peshës politike dhe simbolike që mbajnë Tetova dhe Çairi në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, koalicioni VLEN përballet me një sfidë të brendshme, pasi kërkon fitore me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së. Në anën tjetër, AKI-ja, përmes Ali Ahmetit, po përpiqet të mobilizojë elektoratin me mesazhin për rikthimin e dinjitetit të shqiptarëve në vend.
Edhe pse kryeministri Hristijan Mickovski është shprehur hapur se do të mbështesë kandidatët e VLEN-it në ato komuna ku VMRO nuk ka kandidat të vetin, një gjë të tillë nuk ndodhi në Tetovë. Gjatë një tubimi mbrëmë në Tetovë, kryeministri Mickovski nuk bëri thirrje për të votuar Bilall Kasamin apo numrin 7, por kërkoi mbështetje për numrin 9 dhe kryesuesin e këshillit komunal të VMRO-së.
Kjo përbën një dallim të qartë nga qëndrimi i tij në Gostivar, ku Mickovski u shpreh hapur se kandidati i përbashkët është Sabaudin Dauti, duke treguar qartazi mbështetjen për VLEN-in në Gostivar.
Ftohja mes Kasamit dhe Mickovskit, sipas burimeve të portalit TS, ka nisur si pasojë e pakënaqësive të mëdha brenda radhëve të VMRO-së në Tetovë. Anëtarë të komunitetit maqedonas, përkatësisht të degës lokale të VMRO-së, i janë ankuar kryeministrit për qeverisjen e Kasamit. Sipas tyre, gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës së Tetovës, Kasami ka rritur taksat komunale për mbeturinat ku mijra maqedonas sot janë në “izvershitel” – përmbarues, rritjen e taksës në pronë. Ankesat e maqedonasëve dërguar kryeministrit Mickovski janë edhe mashtrimet e Kasamit për ndërtimin e qendrës së Tetovës, ndërtimi i parkingjeve me kate.
Po ashtu, ka pasur akuza për shitje të pronave publike, përfshirë: zonën e njohur si “Monopoli”, parkingun pranë Renovës, Ndriçimin Publik, si dhe transferimin e NPK-së te kompania “Saubermacher”. Tashmë, sipas të njëjtave burime, Kasami po përgatitet të privatizojë edhe ujin e pijshëm një çështje që ka ngjallur shqetësim të madh në opinionin publik ku kryeministri Mickovski ka pranuar ankesat e anëtarëve të VMRO-së.
Ndryshe në Tetovë ka gjashtë kandidat për kryetar komune mes tyre dy janë shqiptarë, tre maqedonas dhe një i komunitet rom./TS/