Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Izet Mexhitit lidhur me ligjin e ri për lojërat e fatit, duke e akuzuar për mashtrim publik dhe manipulim të opinionit. Sipas ASH-së, ndonëse Mexhiti pretendon se me këtë ligj do të mbyllen platformat online të bixhozit, realiteti është krejt ndryshe – vetë Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut po promovon në rrjetet sociale reklama për lojërat online, me bonuse dhe udhëzime për pagesa përmes kartelave bankare
Reagimi i plotë:
Derisa Izet Mexhiti tentoi të hedhë pluhur në sytë e opinionit publik me pretendimin se me ligjin e ri për lojërat e fatit do të mbyllen platformat online, vetë Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut po tregon të kundërtën. Në kulmin e fushatës zgjedhore, kompania shtetërore “Lotaria Verde Casino”, që merret me organizimin e lojërave të fatit, po sponsorison në rrjetet sociale banera promovuese për lojërat online.
Në këto reklama, që arrijnë deri te çdo përdorues i Facebookut dhe Instagramit, ofrohen udhëzime të detajuara për mënyrën e lojës online, pagesat përmes kartelave Visa dhe MasterCard, shkarkimin e aplikacionit, si dhe bonuse joshëse për “mirëseardhje”. Pra, ndërkohë që Mexhiti pretendon për “mbyllje të kazinove dhe lojërave online”, Lotaria Shtetërore – në pronësi të shtetit që ai përfaqëson – po nxit aktivisht qytetarët të përfshihen në bixhoz digjital.
Ky është demanti më i qartë që i bëhet gënjeshtrës së Izet Mexhitit, i cili vetëm katër ditë më parë mashtroi publikun shqiptar me pretendimin se VLEN ka sjellë ligj që “mbyll” kazinotë dhe bastet online. E vërteta është se mashtrimi nuk zgjat shumë dhe çdo ditë po del më i dukshëm.
Aleanca për Shqiptarët, që në fazën e përgatitjes së këtij ligji, ka refuzuar narrativën manipuluese të pushtetit, sipas së cilës nisma e re ligjore do të ndalojë bixhozin në Maqedoninë e Veriut. Bixhozi jo vetëm që nuk ndalohet, por tashmë shndërrohet në monopol shtetëror, me të gjitha përfitimet që rrjedhin drejt qendrës së pushtetit.
Ligji nuk parashikon largimin e objekteve të lojërave të fatit nga zonat e banuara, nuk ka detyrim për mbylljen e kazinove ekzistuese, dhe as nuk ndalon aksesin online. Përkundrazi, e ligjëron dhe formalizon bastvënien në internet përmes operuesve të licencuar. Rrjeti i internetit mbetet një kanal i pakontrolluar, që paraqet rrezik të lartë për të rinjtë.
Skandali me propozim-ligjin e ri për lojërat e fatit po merr përmasa edhe më të mëdha. Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ndryshime shtesë që parashikojnë organizimin e lojërave të fatit online edhe nga subjekte private, ashtu siç ka qenë edhe më herët.
Sipas nenit 7, paragrafi 4, “Për qëllime të organizimit të lojërave të fatit elektronike dhe në internet, shoqëria tregtare ku Republika e Maqedonisë së Veriut është aksionari i vetëm mund të angazhojë subjekte të jashtme juridike përmes thirrjes publike.”
Me këtë dispozitë bie poshtë edhe argumenti i vetëm që VLEN ka përdorur për të mbuluar mashtrimin e saj – gjoja “mbylljen e lojërave të fatit online”. E vërteta është se bixhozi nuk largohet as nga shtëpitë, as nga duart e fëmijëve tanë.
Izet Mexhiti po gënjen, dhe qytetarët tashmë e kanë kuptuar.
Ai nuk është më “Baba i Çairit”, por “Baba i Kazinove dhe bixhozit”.