Raporti vëren se ndërlidhja e Ballkanit Perëndimor me BE-në ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme gjatë dekadës së fundit, me luhatje të vogla, por ndërkohë Kina është shfaqur si fuqia e dytë më e ndërlidhur me Ballkanin Perëndimor. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia renditet si tre vendet me lidhjet më të forta me Kinën
Evis HALILI
Shkup, 7 tetor – Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të ndërlidhura me Bashkimin Evropian, më shumë sesa me çdo fuqi tjetër. Sipas Indeksit të Ndërlidhjes Gjeoekonomike të publikuar nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Maqedonia renditet e treta, pas Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës. Raporti vëren se ndërlidhja e Ballkanit Perëndimor me BE-në ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme gjatë dekadës së fundit, me luhatje të vogla, por ndërkohë Kina është shfaqur si fuqia e dytë më e ndërlidhur me Ballkanin Perëndimor.
Në fakt, kjo ndërlidhje ka qenë në rritje gjatë gjithë dekadës dhe ka tejkaluar ato të SHBA-së dhe Rusisë gjatë pesë viteve të fundit, kryesisht nga lidhjet më të forta midis Kinës dhe Serbisë. Pas Serbisë, indeksi rendit Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për lidhje më të forta sesa tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Tre ekonomitë e mbetura kanë ndërlidhje shumë më të vogël me Kinën. Në Ballkanin Perëndimor, Kina ka zgjeruar kryesisht lidhjet e saj financiare me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Egjipti dhe Maroku kanë rezultatet më të larta të ndërlidhjes financiare midis fqinjëve jugorë. Në të dy nënrajonet, projektet e investimeve të reja (greenfield FDI) duket se janë kanali kryesor i lidhjeve financiare”, thuhet në raport.
Për sa i përket tregtisë, vërehet në raport, lidhjet e BE-së me nënrajonin kanë rënë vitet e fundit – jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe madje edhe në Kosovë. Ndërkohë, marrëdhëniet me Kinën janë rritur vazhdimisht në pothuajse të gjitha vendet, duke reflektuar rolin gjithnjë e më të fortë të Kinës në ekonominë dhe tregtinë globale.
Shqipëria ka ndërlidhjen më të fortë me BE-në, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Maqedonia e Veriut. Serbia dhe Mali i Zi janë pak më poshtë, ndërsa Kosova – ndoshta disi papritur – ka lidhjet më të dobëta me BE-në nga të gjitha ekonomitë në këtë nënrajon. Në të njëjtën kohë, ndërlidhja e Kosovës me BE-në është gjithashtu më e paqëndrueshme për shkak të luhatjeve të mprehta në disa nga treguesit individualë, megjithëse kjo mund të jetë për shkak të cilësisë së dobët të të dhënave.
Raporti sugjeron se kur lidhjet e BE-së me rajonin ngecin, vende si Kina mund të shfrytëzojnë hapësirat e lëna bosh. Raporti sugjeron monitorim të kujdesshëm të kontratave strategjike ose projekteve infrastrukturore që vijnë nga jashtë BE-së, për t’u siguruar që ato nuk krijojnë varësi të dëmshme dhe nuk cenojnë interesin kombëtar. (koha.mk)