Forumi Rinor i Aleancës Kombëtare për Integrim ka reaguar ashpër ndaj prezantimit të fundit të kandidatit të VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, i cili publikisht promovoi të ashtuquajturin “projekt për Qendrën Rinore të Çairit”.
Në deklaratën e tij, Art Hajrullahu, kryetar i Forumit Rinor të BDI-së në Çair, e ka cilësuar këtë projekt si “mashtrimin e radhës” të Mexhitit dhe si “një maket për kamera, një fasadë zgjedhore pa asnjë bazë reale”.
“E vërteta është e thjeshtë: kjo nuk është qendër rinore, por një dekor për propagandë. Nuk ka projekt teknik, nuk ka leje ndërtimi, dhe nuk ka buxhet të miratuar për këtë qendër në dokumentet komunale. Në programin kapital të Komunës së Çairit për vitet 2025-2026 nuk figuron asnjë zë financiar për ndonjë ‘Qendër Rinore’”, tha Hajrullahu.
Sipas tij, Mexhiti po tenton të riciklojë premtimet e vjetra të viteve 2013 dhe 2017, kur kishte paralajmëruar “Qendrën Kulturore Rinore”, që kurrë nuk u realizua.
“Qendra e tij është në fjalë, jo në plan. Madje gjatë promovimit të djeshëm ai nuk dinte as të shpjegonte se çfarë është një qendër rinore, duke ia dhënë fjalën një kandidati për këshilltar për të improvizuar përgjigje,” – shtoi Hajrullahu.
20 vite pushtet, asnjë projekt për të rinjtë
Kreu i Forumit Rinor të BDI-së theksoi se për 20 vite në pushtet, Izet Mexhiti nuk ka realizuar asnjë projekt konkret për të rinjtë e Çairit – as qendra trajnimi, as programe zhvillimi profesional, as grante për start-up-e apo nisma punësimi komunal.
“Kur flet për Qendër Rinore, Izeti mendon për ndërtesat që ndërton për vete dhe për kompaninë e tij, jo për të rinjtë e Çairit. Në planin financiar të vitit 2025 nuk ekziston asnjë fond për këtë që ai e quan ‘Qendër Rinore’. Ai dhe Visari nuk kanë asnjë dokument zyrtar që dëshmon se ky projekt ekziston. Kanë vetëm posterë, vizatime 3D dhe slogane boshe”, deklaroi Hajrullahu.
Sipas Forumit Rinor të AKI-së, Mexhiti ka dështuar edhe në fushën e arsimit dhe të infrastrukturës për të rinjtë.
Shkollat shqipe në Çair, thuhet në deklaratë, janë pa salla moderne, pa laboratorë dhe pa kushte minimale higjienike.
“Ai ka premtuar ‘hapësira kreative për rininë’ që nga viti 2017, por asnjëra nuk është realizuar. Rinia e Çairit mëson në kushte që asnjë kryetar me ndërgjegje nuk do t’i lejonte. Ai që s’ka investuar në të ardhmen, s’mund të pretendojë ta ndërtojë tani për fushatë”, theksoi Hajrullahu.
Deklarata thekson se projekti i prezantuar nga Mexhiti nuk është diskutuar me asnjë organizatë që punon me të rinjtë në Çair.
“Asnjë organizatë rinore nuk është ftuar, pyetur apo përfshirë në këtë projekt. Kjo tregon gjithçka: kjo nuk është për rininë, por për fushatën”, thuhet në reagim.
Në fund, Hajrullahu apeloi që rinia të mos lejojë të manipulohet me makete dhe slogane boshe.
“Pas 20 vitesh premtime, makete e vizatime 3D, më 19 tetor rinia do t’i japë fund mashtrimit. Çairi ka nevojë për realitet, jo për imagjinatë. Çairi ka nevojë për ndryshim – dhe ndryshimi do të ndodhë!”, përfundoi Art Hajrullahu.