Në rrjetet sociale po qarkullon një foto e listës së kandidatëve të koalicionit VLEN për Qytetin e Shkupit, e cila ka ndezur debate dhe pakënaqësi të forta brenda radhëve të LD-së së Izet Mexhitit.
Sipas listës, kandidati për kryetar vije nga grupacioni i Arbër Fetait (Aleanca për Shqiptarët), ndërsa bartësi i listës për këshilltarë është nga Alternativa. Në vendin e dytë përsëri është përfaqësues i grupit të Fetait, dhe vetëm në vendin e tretë shfaqet një emër nga LD.
Ky renditje është interpretuar nga shumë aktivistë të LD-së si nënvlerësim i rolit të tyre politik, duke qenë se Shkupi konsiderohet bastioni i kësaj partie. Ata akuzojnë se partitë e tjera të koalicionit, ndonëse me peshë më të vogël elektorale, po përfitojnë vende kyçe në kurriz të LD-së.
“Është e papranueshme që Shkupi të trajtohet kështu. Ne kemi mbështetjen më të madhe këtu, por listat tregojnë se po i japim hapësirë partive që nuk kanë bazë reale në këtë qytet,” shprehet një nga aktivistët e pakënaqur të LD-së.
Koalicioni VLEN, i përbërë nga Alternativa, LD, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, u formua për të ofruar një alternativë të përbashkët shqiptare në zgjedhjet vendore. Por ky rast ka hapur debat të madh të brendshëm për balancat reale të pushtetit dhe shpërndarjen e pozicioneve.
Mbete të shihet nëse ky tension do të përkthehet në përçarje apo në rinegocim të renditjes së kandidatëve, ndërsa gara për Shkupin hyn në fazën e saj vendimtare.