Për ukrainasit, Amerika e Donald Trump është një aleat çarmatosës, në të gjitha kuptimet. Ai ka bllokuar ndihmat ushtarake, duke ndërprerë edhe ato tashmë të dekretuara nga administrata Biden, dhe më pas ka vënë në dispozicion minimumin e domosdoshëm për të parandaluar kolapsin e mbrojtjes. Me një kusht shumë të qartë: asnjë dhuratë më. Çdo gjë duhet paguar, dhe madje shtrenjtë. Janë zhdukur procedurat e jashtëzakonshme, me të cilat nxirreshin me nxitim pajisje nga depot ushtarake amerikane për t’ua transferuar menjëherë luftëtarëve në Donbas. Sot, ukrainasit duhet të futen në radhë dhe të respektojnë procedurën burokratike të “Foreign Military Sale” të Uashingtonit. Dhe nuk është se në Kiev shiten sisteme të fuqishme ose teknologjikisht të avancuara që t’u japin një shans për të shkatërruar makinën ushtarake të Putinit.
Është pikërisht e kundërta: të gjitha kontratat e epokës Trump kanë të bëjnë me armatime të vjetra. Dhe është befasuese të lexosh në komunikatat zyrtare të Pentagonit formulën standarde të parashikuar nga rregulloret amerikane: “Shitja e propozuar e këtyre pajisjeve dhe e mbështetjes nuk do të ndryshojë ekuilibrat ushtarakë në rajon”. Në praktikë, vihet me shkrim se nuk duan të rrezikojnë që Ukraina të mposhtë Rusinë…
Një shembull? Zelensky ka kërkuar sistemet Patriot – dhe veçanërisht versionin e fundit hi-tech që rrëzon raketat balistike – për të dhënë një mburojë mbi qytetet e sulmuara nga sulmet ajrore ruse. Në vend të kësaj, më 23 korrik të kaluar Pentagoni miratoi dërgimin e komponentëve për të mbajtur aktivë raketat kundërajrore Hawk. Bëhet fjalë për bateri tokë-ajër që hynë në shërbim në vitin 1959 dhe që pjesa më e madhe e ushtrive, përfshirë atë italiane, i ka nxjerrë nga përdorimi prej dekadash: amerikanët i kanë hequr nga qarkullimi prej më shumë se njëzet vitesh
Disa vende europiane si Spanja kishin një stok në gjendje të mirë dhe ua kanë dhuruar falas ukrainasve. Në tregun e armatimeve Hawk nuk kanë më vlerë; megjithatë, Shtëpia e Bardhë do të marrë 172 milionë dollarë për të transferuar interceptues, automjete lëshimi, manuale, kontejnerë, pjesë të ndryshme duke faturuar madje edhe trajnimin e personelit.
Diçka e ngjashme ka ndodhur me mjetet e blinduara me zinxhir Bradley, të cilat, ndonëse datojnë nga vitet ’80, kanë rezultuar një nga automjetet luftarake më të vlefshme të konfliktit. Presidenti Biden u ka dhuruar ukrainasve mbi treqind të tilla, të cilat ata i kanë dërguar në vijën e parë në situatat më të vështira. Gjysma janë shkatërruar ose dëmtuar dhe të tjerat kanë nevojë për riparime: Shtetet e Bashkuara do të dorëzojnë pjesë këmbimi dhe makina për riparime, me një faturë prej 150 milionë dollarësh.
Panairi i ri i fitimeve vazhdon me topat vetëlëvizës M109: të tjerë veteranë të Luftës së Ftohtë, të dorëzuar në numër të madh Ukrainës. Qeveria Draghi ka boshatisur depot ku ishin grumbulluar rreth njëqind të tillë në pritje të skrapit, pastaj i ka restauruar me financime nga Pentagoni dhe i ka transferuar në front. Vende të tjera europiane kanë bërë të njëjtën gjë dhe nëntëdhjetë kanë mbërritur nga SHBA. Tani ka lindur problemi për të zëvendësuar humbjet e shkaktuara nga betejat dhe ja ku në korrik është lidhur marrëveshja për një “servis” që do të kryhet në Europë, e besuar nga Pentagoni te tre kompani: kostoja është 150 milionë dollarë. Më në fund, më 5 gusht u miratua një kontratë e ngjashme që do të përfshijë topat M777 të kalibrit 155 milimetra: Kievi do të paguajë 203 milionë për të marrë obusë të dorës së dytë dhe asistencë riparuese.
Afatet nuk janë të qarta. Vetëm në rastin e topave M777 kontrata flet për “urgjencë”, ndërsa në të tjerat nuk përmendet gjendja dramatike e trupave ukrainase të angazhuara në betejë përgjatë një fronti njëmijë kilometra të gjatë. Do të duhen vite përpara se të jenë gati raketat Amraam, shitja e të cilave është autorizuar për Ukrainën dhe për aleatë të tjerë: ato do të shërbejnë për avionët luftarakë F-16 dhe gjithashtu për bateritë kundërajrore “Frankenstein”, të shpikura në Dnipro duke bashkuar radarë sovjetikë dhe interceptues amerikanë. Dhe Patriot-at e kërkuar me urgjencë nga Zelensky për të mbrojtur popullsinë nga bombardimet? Për momentin nuk janë parë dhe administrata Trump nuk merret me to: u takon europianëve të mbrojnë Ukrainën dhe t’i japin raketat e tyre. Amerikanët do të kufizohen të shesin të reja për të zëvendësuar ato të dhuruara. Një marrëveshje e sigurt si një bombë./La Repubblica