Kush janë druzët dhe pse i mbron Izraeli?

Zyrtarët e Qeverisë në Siri dhe udhëheqësit e komunitetit druz njoftuan se kanë arritur një armëpushim, pas disa ditësh me përleshje, që rrezikonin të prishnin tranzicionin politik në këtë vend dhe shkaktuan ndërhyrjen ushtarake të Izraelit.

Forcat qeveritare filluan tërheqjen nga qyteti Suveida, por nuk është e sigurt nëse armëpushimi do të respektohet.

Një armëpushim i mëparshëm – i shpallur të martën – u prish shpejt, ndërsa një udhëheqës i njohur druz, sheiku Hikmat Al-Hijri, e hodhi poshtë marrëveshjen e re.

Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Druzë izraelitë duke kaluar kufirin për të vizituar familjarët në Siri, mes konfliktit të vazhdueshëm në zonat e druzëve në Siri, më 16 korrik.
SHIKONI EDHE:
Presidenti i përkohshëm i Sirisë thotë se mbrojtja e druzëve është “prioritet”
Kush janë druzët?
Druzët janë një pakicë etno-fetare që flet arabisht dhe jeton në Siri, Liban, Izrael dhe Lartësitë e pushtuara të Golanit.

Besimi druze është një degë e Islamit shiit – me identitet dhe rite të veta unike.

Rreth gjysma e ndjekësve të këtij besimi – me gjithsej afro një milion pjesëtarë – jetojnë në Siri, ku përbëjnë rreth 3% të popullsisë.

Në Izrael, ky komunitet konsiderohet në masë të madhe si besnik ndaj shtetit, për shkak të pjesëmarrjes së pjesëtarëve të tij në shërbimin ushtarak.

Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave të Izraelit, rreth 152.000 druzë jetojnë në Izrael dhe në Lartësitë Golan – të pushtuara nga Izraeli.

Ushtarë izraelitë ndalojnë një familje siriane të pakicës druze, e cila ishte larguar nga dhuna sektare në Damask. 3 maj 2025.
SHIKONI EDHE:
Izraeli kërcënon me përshkallëzim ushtarak në Siri
Historikisht, druzët kanë pasur një pozitë të pasigurt në rendin politik të Sirisë.

Gjatë luftës civile gati 14-vjeçare, ata vepruan me milicitë e tyre në jug të këtij vendi.

Që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor, druzët u kanë rezistuar përpjekjeve të shtetit për të vendosur autoritetin në jug të Sirisë.

Fraksionet druze në Siri nuk kanë qëndrim të njëjtë ndaj autoriteteve të reja – disa tregohen të kujdesshme, e të tjerat i refuzojnë hapur.

Megjithatë, shumë prej tyre kundërshtojnë praninë e forcave zyrtare të sigurisë në Suveida dhe nuk pranojnë të bashkohen me ushtrinë siriane, duke u mbështetur në forcat e tyre lokale për mbrojtje.

Megjithëse Qeveria siriane i dënoi sulmet e fundit ndaj komunitetit druz dhe premtoi se do ta rikthejë rendin në jug të Sirisë, forcat e saj u akuzuan edhe për sulme ndaj kësaj pakice.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, dokumentoi “ekzekutime të menjëhershme” të druzëve nga forcat qeveritare.

Pjesëtarë të forcave të sigurisë në Siri.
SHIKONI EDHE:
Dhjetëra njerëz të vrarë në përleshjet sektare në Siri
Raportet e tilla shtuan mosbesimin e disa pjesëtarëve të komunitetit druz ndaj autoriteteve në Damask.

Pas rrëzimit të papritur të Assadit, Izraeli filloi të afrohej me komunitetin druz pranë kufirit të tij verior, në përpjekje për të krijuar aleanca me pakicat në Siri.

Izraeli po përpiqet të paraqitet si mbrojtës i këtyre pakicave – përfshirë kurdët, druzët dhe alavitët – ndërkohë që vazhdon t’i godasë forcat qeveritare dhe objektivat ushtarake brenda Sirisë.

Gjatë përleshjeve sektare në maj, Izraeli kreu sulme pranë pallatit presidencial në Damask, duke thënë se ato ishin një paralajmërim kundër sulmeve ndaj komunitetit druz.

Megjithatë, disa figura druze në Siri dhe në Liban e akuzuan Izraelin se po nxit përçarje sektare për të avancuar qëllimet e veta ekspansioniste në rajon.

Pse Izraeli po e sulmon tani Sirinë?
Izraeli po sulmon Sirinë për t’i penguar forcat siriane që të ushtrojnë kontroll ushtarak në jug të vendit, pranë kufirit me Izraelin.

Ai do që kjo zonë të mbetet pa ushtri për t’i shmangur rreziqet, sidomos nga luftëtarët islamistë që janë afër kufirit.

Më 15 korrik, Izraeli goditi forcat e sigurisë në qytetin Suveida, ndërsa më 16 korrik sulmet u zgjeruan, duke goditur selinë e ushtrisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes në Damask.

Siria i dënoi këto sulme.

Ato ishin më të rëndat që nga fundi i vitit 2024, kur Izraeli goditi bazat ushtarake siriane dhe mori nën kontroll një zonë kufitare.

Sulmet në Damask, 16 korrik 2025.
Sulmet në Damask, 16 korrik 2025.
Izraeli dëshiron ta dobësojë ushtrinë siriane për të mos u rrezikuar, dhe paralajmëroi se sulmet do të vazhdojnë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, pas sulmit të parë ajror në Damask, shkroi në X se “goditjet e dhimbshme kanë filluar”.

Ai tha se ushtria izraelite “do të vazhdojë t’i sulmojë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen nga zona dhe, së shpejti, do të rrisë nivelin e përgjigjeve ndaj regjimit, nëse mesazhi nuk kuptohet”.

Cilat ishin reagimet në botë?
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja është “shumë e shqetësuar” për dhunën.

“Kemi rënë dakord për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj situate shqetësuese dhe të tmerrshme”, tha ai më 16 korrik, pa dhënë më shumë detaje.

Disa shtete arabe, përfshirë Libanin, Irakun, Katarin, Jordaninë, Egjiptin dhe Kuvajtin, i dënuan sulmet e Izraelit në Siri.

Irani i përshkroi sulmet si “shumë të parashikueshme”.

Turqia tha se ato janë “një akt sabotimi kundër përpjekjeve të Sirisë për të siguruar paqen dhe stabilitetin”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi gjithashtu sulmet e Izraelit në Suveida dhe Damask.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Skandali i harruar: Mërgimtari i shpërblyer nga Komuna rikthehet si mysafir nderi

Pas pagesës prej 90 mijë denarësh nga Komuna e Tetovës, Xhevat Xhemaili shfaqet në pushime në vendlindje Xhevat Xhemaili, mërgimtari për të cilin u raportua...

Rami Mislimi e zbulon anketën e tretë me Photoshop të Bilall Kasamit – i del 100.7%

Zbulohet anketa e tretë me Photoshop e Bilall Kasamit – 100.7% Pasi e shiti Monopollin, NPK-në, ndriçimin publik, parkingun përballë NPK-së dhe së fundmi mori...

Lajmi i madh i Bilit të vockël, me investitor serb!

Skandal pas skandali, Bili i vockël s'ka të ndalur. Këto ditë Bili i vockël paralajmëroi se do te të ketë një investim prej 800 mijë...

“Deputeti Qoku manipulon publikun – Selimi e zhvesh me fakte: Vetë votuat qeverinë e ‘Botës Serbe’”

Shkup, 22 korrik 2025 – Përpjekja e deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, për të relativizuar përmbajtjen e raportit të Parlamentit Evropian mbi Maqedoninë e...

Deputeti i Mickoskit – i vetmi maqedonas në një familje të tërë bullgare

Ohër, 22 korrik 2025 – Mile Lefkov, deputet dhe anëtar i kryesisë ekzekutive të partisë VMRO-DPMNE në Shkup, që së fundmi deklaroi se shërbimet...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu