Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, në fjalimin e saj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur shqetësimin për përjashtimin e diasporës shqiptare nga formula e ndarjes së mjeteve për kokë banori, gjë që ka rezultuar me humbje të konsiderueshme financiare për komunat shqiptare.
“Urgjentisht, 8.5 milionë eurot e plaçkitura të vendbanimeve shqiptare duhet t’u kthehen komunave për investime. Këto mjete iu vodhën qytetarëve tanë përmes një vendimi të Qeverisë në fund të vitit të kaluar, kur mërgata u përjashtua nga përfshirja në ndarjen e fondeve për kokë banori,” – deklaroi Dauti.
Ajo theksoi se nga 250 milionë eurot e marra përmes një kredie të famshme nga pala hungareze, komunat me shumicë shqiptare kanë përfituar 8.5 milionë euro më pak, për shkak të mosllogaritjes së diasporës në formulën për shpërndarjen e mjeteve.
“Sot në Kuvend po ratifikohet një kredi tjetër, një hua tjetër publike. Kam dilema serioze për atë që do të ndodhë më tej. A do të përsëritet e njëjta padrejtësi? A do të ndodhë që diaspora të marrë pjesë në kthimin e kredive dhe përmbushjen e obligimeve ndaj shtetit pasi të përfundojë periudha e grejsit, ndërkohë që nuk përfiton asgjë nga ndarja e fondeve për kokë banori nga këto hua?” – u shpreh Dauti.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur debati për ndarjen e drejtë të fondeve publike dhe përfaqësimin e barabartë të komuniteteve në politikat buxhetore mbetet një çështje e ndjeshme në vend.