Senatori konservator Miguel Uribe, kandidat për president në Kolumbi në zgjedhjet e majit 2026, u plagos të shtunën në Bogota gjatë një tubimi elektoral – një akt që u dënua ashpër nga qeveria, ndërsa bashkëshortja e tij njoftoi se ai po lufton për jetën. Atij i qëlloi një 15-vjeçar, i cili është arrestuar.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet politikani 39-vjeçar duke mbajtur fjalim në një tubim në perëndim të kryeqytetit, kur dëgjohen të shtënat. Në pamje të tjera, ai shihet i shtrirë mbi çatinë e një automjeti, i mbuluar me gjak.
Politikani i djathtë është qëlluar dy herë në kokë dhe një herë në gju, sipas ndihmësve mjekësorë që i dhanë ndihmën e parë.
Bashkëshortja e tij, María Claudia Tarazona, shkroi në profilin X të Uribe se burri i saj “po lufton për jetën”.
Sipas policisë, autori i dyshuar është i mitur. Ai u plagos në këmbë dhe u kap nga rojet personale të Uribes. Prokurorja e Përgjithshme Luz Adriana Camargo tha në radion Caracol se Miguel Uribe ndodhet në “kujdes intensiv” dhe se autoritetet po hetojnë motivet e sulmuesit.
Ministrja e Jashtme, Laura Sarabia, shkroi në X: “Sinqerisht shpresoj që ai të jetë mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.”
Shtetet e Bashkuara “dënojnë ashpër përpjekjen për atentat” ndaj senatorit kolumbian Miguel Uribe, deklaroi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Qeveria e presidentit të majtë Gustavo Petro e dënoi ashpër sulmin ndaj Uribes. “Ky akt dhune është sulm, jo vetëm ndaj integritetit fizik të senatorit, por edhe ndaj demokracisë, lirisë së mendimit dhe ushtrimit legjitim të politikës në Kolumbi,” thuhet në deklaratën e presidencës.
“Respekti për jetën është vijë e kuqe. Kolumbia nuk duhet të vrasë fëmijët e saj,” shkroi Petro në rrjetin social X.
Uribe i përket partisë Qendra Demokratike, e udhëhequr nga ish-presidenti me ndikim Álvaro Uribe, i cili ka qeverisur Kolumbinë nga viti 2002 deri në 2018. Në tetorin e kaluar, Miguel Uribe shpalli kandidaturën për president në vitin 2026, si pasardhës i Petro-s, të cilin e kritikon ashpër.