Naim Dedushaj nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare shprehu shqetësimin për mungesën e institucioneve në Kosovë, duke e cilësuar këtë si pengesë të madhe për investimet e diasporës dhe të huajve.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se pasiguria politike po ndikon negativisht në ekonominë e vendit, papunësinë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Mungesa e institucioneve të Kosovës padyshim që do të ndikojë negativisht, jo vetëm te investimet e diasporës, por edhe te afaristët dhe njerëzit e tjerë të huaj që kanë shprehur gatishmëri për të investuar në Kosovë. Pra, do të jetë një hezitim shumë i madh. Besoj se së shpejti do të themelohet qeveria. Do të ndikojë në ekonominë e Kosovës, sepse çdo pengesë e investimeve të huaja ndikon në uljen e papunësisë, të investimeve e të tjera. Situata globale në botë ka ndryshuar, sidomos pas ardhjes së Trumpit”, tha Dedushaj.
Ai tha se shumë investitorë nga diaspora kanë shprehur hezitim për të investuar.
“Ka ndryshime shumë të mëdha nga viti i kaluar në këtë vit. Kosova nuk e ka atë pozitë që të luajë me këto gjëra, sepse populli i Kosovës ka votuar dhe ka zgjedhur deputetët e vet dhe këta kanë përgjegjësi që të konstituohet Kuvendi, sepse në këtë kohë Kosova nuk ka atë luks që të ketë kësi lloj ngatërresash mes vete”, tha ai.
Ai kërkoi që sa më shpejt të formohet qeveria, duke theksuar se koha nuk na pret.
“Kam shumë telefonata nga njerëzit, biznesmenët nga diaspora, ku më pyesin se çfarë po ndodh me Kosovën. Gjithashtu edhe të huajt kanë shtruar nevojën që të kemi një qeveri dhe të jemi më aktivë, sepse koha nuk na pret. Kjo çështje po vazhdon me të njëjtit njerëz apo me të njëjtat problematika. Çdo mosfunksionim i shtetit të Kosovës ndikon në imazhin e vendit. Në investimet ku njerëzit kanë menduar të investojnë në Kosovë ndikon shumë negativisht. Prandaj, Kosova nuk e ka atë luks t’i bëjë ato gjëra, por të ulen dhe të punojnë për vendin, ashtu siç i kanë votuar qytetarët”, tha Dedushaj.