Nisja e negociatave mes SHBA ndaj Rusisë kishte mashtruar botën për mundësinë reale të arritjes së shpejtë të një armëpushimi në Ukrainë. Ashtu siç pritej, objektivat e të dy palëve mbetën të papajtueshme, pavarësisht vendosmërisë që vinte nga Moska dhe Uashingtoni. Në konfuzionin e përgjithshëm, janë shfaqur plane nga më të ndryshme të paqes.
I pari ishte plani evropian me 4 pika për të arritur tek ai që atribuohet Donald Trump për një armëpushim deri në Pashkë, duke kaluar përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje “urë” për lundrimin në Detin e Zi.
Megjithatë deri tani ka pasur shumë fjalë dhe shumë pak rezultate. Asgjë e çuditshme. Është modeli klasik i negociatave mes fuqive të mëdha, i përshpejtuar nga qasja Trumpiane: “Unë do të mbështes një draft të fortë dhe pastaj do të kërkoj një marrëveshje”.
Plani i fundit zyrtar i SHBA-së për një armëpushim në Ukrainë, i përshkruar nga i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Keith Kellogg ndjek pikërisht këtë linjë. Plani përfshin, ndër të tjera, një ndarje trepalëshe të Ukrainës dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar në pjesën lindore. Një plan i besueshëm nga pikëpamja ushtarake, por me shumë detaje të “patretura” për palët e përfshira.
Komentet e Kellogg janë domethënëse sepse kjo është hera e parë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës që një zyrtar i lartë amerikan ka propozuar rrjedhën natyrore të lumit Dnieper si një vijë demarkacioni për një zgjidhje të pasluftës. Propozimi erdhi në të njëjtën ditë kur i dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff u takua me Vladimir Putin në Shën Petersburg për të diskutuar epokën e pasluftës.
Propozimi i SHBA-së përfaqëson vetëm bazën e negociatave për t’u vendosur në tryezën e bisedimeve duke shpresuar se do të çojë në një marrëveshje përfundimtare për armëpushimin. Kujdes: një armëpushim, jo paqe (e cila është materialisht e pamundur). Pra, nuk është asgjë përfundimtare. Kjo gjë tregon edhe një herë se sa larg është ende në kohë edhe nga konsensusi i të ashtuquajturit “komunitet ndërkombëtar” për pajtimin e palëve në konflikt.
Ndarja e territorit ukrainas në “zona ndikimi”, sipas modelit gjerman gjatë Luftës së Ftohtë, është pikërisht ideja bazë nga e cila mund të nisin diskutimet për menaxhimin e periudhës ruso-ukrainase të pasluftës. Kellogg tha se propozimi ofron një nga pamjet më të qarta të “vizionit” të Presidentit Trump për të ardhmen e Ukrainës. Nuk është ende e qartë nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion Kievit që t’i lëshojë më shumë territor Rusisë përtej atij që aktualisht është i pushtuar nga trupat e Moskës.
Në prezantimin e planit amerikan, në një intervistë për “The Times”, Kellogg tha edhe një shprehje që u kritikua shumë nga analistët. “Ne mund të arrijmë në një zgjidhje që i ngjan asaj që u vendos për Berlinin pas Luftës së Dytë Botërore, me një zonë ruse, një zonë franceze, një zonë britanike dhe një zonë amerikane”.
Krahasimi nënkupton një Ukrainë të mundur, sipas modelit të Gjermanisë naziste. Një ndihmë e madhe kjo për narrativën e Kremlinit se Kievi është nën kontrollin e elitave politike neo-naziste. Pas polemikave që pasuan, vetë Kellogg reagoi në “X” për të korrigjuar deklaratën. “Unë doja të propozoja një forcë ndërhyrëse pas armëpushimit në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës. Në deklaratë, po u referohesha zonave të përgjegjësisë së një force aleate (pa trupat amerikane). Nuk e kisha fjalën fare për një ndarje të Ukrainës”.
Plani “Kellogg” propozon ndarjen e Ukrainës në tre zona, secila e kontrolluar nga forca të ndryshme shtetërore ose ndërkombëtare. Në thelb ekzistojnë dy pika demarkacioni: lumi Dnieper dhe vija e frontit në Donbass.
Zona e parë – në perëndim të lumit Dnieper dhe duke përfshirë Kievin, Lvivin dhe Odesën do të viheshin nën mbrojtjen e armatosur të një “koalicioni të vullnetshëm” tashmë të famshëm të shteteve evropiane, të udhëhequr ushtarakisht nga Franca dhe Britania e Madhe.
Zona e dytë – e përcaktuar nga vija e frontit të Donbasit dhe duke përfshirë Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Krimenë (por jo Zaporizhzhian, të cilën Moska e ka aneksuar tashmë në mënyrë të njëanshme) do të përfundonte nën kontrollin e drejtpërdrejtë rus, si ushtarak ashtu edhe administrativ.
Zona e tretë – në verilindje të lumit Dnieper dhe duke përfshirë Kharkiv, Dnipro, Zaporizhzhia dhe Sumy të shkatërruar nga lufta do të mbeteshin nën kontrollin e Ukrainës.
Midis zonës së dytë (ruse) dhe zonës së tretë (ukrainase), përgjatë kufirit të përfaqësuar nga fronti aktual i luftës, do të kishte një zonë të çmilitarizuar që varion nga një minimum nga 18 deri në maksimumi 30 kilometra gjerësi, në varësi të pikave të spikatura.
Pika më veriore do të ishte kufiri rus, në kryqëzimin e dy rajoneve ukrainase të Luganskut dhe Kharkiv, ndërsa pika më jugore do të vendosej në takimin me lumin Dnieper pak më poshtë qytetit të Zaporizhzhia. Funksioni i brezit pa ushtarë dhe armatime do të ishte ai i një tamponi klasik. Jo saktësisht një garanci, duke gjykuar nga precedenti historik.
Paqeruajtës apo forca ushtarake?
Kush do të shkojë në Ukrainë? Kjo pyetje na ofron mundësinë për të sqaruar një herë e mirë ndryshimin midis forcave ushtarake dhe paqeruajtësve. Në zonën perëndimore të Ukrainës të parashikuar nga “Plani Kellogg” do të vendoste kontigjente të organizuara në stilin e NATO-s , dhe jo forca paqeruajtëse (stili i OKB-së). Duke huazuar krahasimin e Kellogg me Gjermaninë e ndarë në dysh në shekullin e 20-të, pjesa perëndimore e Ukrainës do të ishte shtëpia e forcave luftarake dhe mbrojtëse kundër agresionit të mundshëm të jashtëm.
Paqeruajtësit e famshëm, pra vëzhguesit ushtarakë nën kujdesin e OKB-së, të ngjashëm me modelin UNIFIL në Liban, do të pozicionoheshin në zonën e çmilitarizuar, të cilët do të monitoronin situatën në kufi dhe do të shuanin çdo shkëndijë lufte. Një mundësi tjetër është që zona e çmilitarizuar, e mbushur me mina do të monitorohet nga distanca nga ushtritë ruse dhe ukrainase, siç ndodh në Kore.
A është i realizueshëm plani i SHBA? Duke përsëritur se “Plani Kellogg” përfaqëson një bazë nga e cila mund të fillohet, në këtë fazë është padyshim i papranueshëm si për Moskën ashtu edhe për Kievin. Edhe pse zyrtari amerikan theksoi se prania e trupave evropiane në Ukrainë përfaqëson “një provokim” për Rusinë, Kremlini padyshim e hodhi poshtë një skenar të tillë.
Ambasadori rus Rodion Miroshnik e bëri të qartë se Moska do ta konsideronte këtë “një pushtim ushtarak”. Kievi, nga ana e tij, nuk mund të pranojë shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të tij. I pyetur nga e përditshmja ruse Izvestia për realizueshmërinë e “Planit Kellogg”, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha as nuk deshi të përgjigjet gjatë një samiti në Turqi dhe u largua.
Megjithatë, duke lënë mënjanë refuzimin e thatë dhe të parashikueshëm të Moskës dhe Kievit, për herë të parë është propozuar një skenar që është i realizueshëm dhe i qëndrueshëm nga pikëpamja ushtarake. Sidomos duke pasur parasysh premisën e planit: ai nuk ka për qëllim një paqe përfundimtare, por për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.
Çfarë do të ndodhë më pas? Pas planit të SHBA-së, Ukraina do të merrte garancinë në terren të mbrojtjes perëndimore, duke hequr dorë përkohësisht nga rivendosja e kufijve të paraluftës. Negociatat e mëvonshme do të duhet të zhvillohen për kohën e armëpushimit dhe përcaktimin e kufijve mes dy vendeve. Nga ana tjetër, Rusia do të ruante kontrollin “derisa të bihet dakord ndryshe” mbi territoret e pushtuara dhe mund të riorganizohej pas një fronti më të mbrojtur ushtarakisht se ai aktual.
Duke pasur parasysh të gjitha gjërat, Kievi mund të pranojë të fillojë negociatat nga “Plani Kellogg”, me shpresën për të blerë kohë dhe për të përfituar nga nxitimi i Rusisë për të ngrirë konfliktin, përpara se të ndizen flakët e brendshme të rebelimit. Në anën tjetër, SHBA-ja e Trumpit po i kushton shumë rëndësi aspektit ekonomik. Në këtë kuptim, në rast se nuk arrihet një kompromis për zonat ushtarake, një marrëveshje për mineralet e rralla dhe marrëveshje të tjera të ngjashme do të çimentonin partneritetin Kiev-Uashington, duke shtrënguar më tej kontrollin e Moskës.