Dita e Alfabetit Shqip sjell Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe me rreth 120 mijë fjalë

Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe në Tiranë dhe në Ditën e Alfabetit Shqip, që sivjet shënohet për herë të parë si festë zyrtare, është lansuar Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe. Përmban rreth 120 mijë fjalë, që e bën atë fjalorin më voluminoz deri më tash dhe jo vetëm. Deri në fillim të vitit që vjen do të jetë në version online dhe në shqyrtim publik e më 2025 pritet të botohet.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, të premten ka paraqitur fjalorin si vepër e një pune katërvjeçare, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me tërë institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

“Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kishte lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta që i mungonte një fjalor i tillë”, citohet të ketë thënë Gjinushi.

Akademia, sipas tij, në kuadër të reformimit të saj, si nxitëse e koordinuese e kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e albanologjisë, zgjodhi të ideojë e të drejtojë tri projekte madhore në këtë drejtim, përfshirë dhe hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

“Për ndërmarrjen e këtyre iniciativave ajo bashkëpunoi me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke e përfshirë atë në protokollin e përbashkët”, ka thënë ai. Fillimi i punës e konturimi i projektit u mbështet mbi përvojën e hershme historike të Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë e Departamentit të Gjuhës në hartimin e një sërë fjalorësh deri tek ai i mesëm i vitit 1980.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, hartimi i platformës paraprake iu besua akademik Jani Thomait e akademik Valter Memishës, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e kryetar i komisionit të përhershëm të gjuhës dhe letërsisë në atë kohë.

“Për ta hartuar këtë vepër u ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e qeverisë dhe kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore”, ka thënë Gjinushi.

Për hartimin e fjalorit u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional.

“Pra, u ngrit një trupë e krahasueshme me dy institute; Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë ka sot 21 punonjës kërkimorë-shkencorë. Kjo, përbëhet nga punonjësit akademikë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universitetit të Prishtinës, të Tiranës e universitetet e tjera publike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut si dhe të Universitetit të Palermos e të Kozencës”, ka thënë Gjinushi.

Për hartimin e tij u krijua një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milion; njësish, në të cilat u përfshinë tërë fjalorët e mëparshëm e veprat e autorëve më në zë shqiptarë nga Buzuku, Fishta e deri te Kadareja, si dhe u krijua njësia me specialistë IT dhe të gjuhësisë kompjuterike për të mundësuar hartimin e tij sipas teknologjive më të përparuara të kohës.

“Fjalori i madh nuk plotëson vetëm këtë detyrë e përgjegjësi të marrë nga Akademia e Shkencave e gjuhëtarëve, nën drejtimin e akademik Thomait e Memishës, por, përvoja e fituar, baza e të dhënave e krijuar mundëson jo vetëm mbarëvajtjen e tij të vazhdueshme e pasurimin e tij sipas zhvillimit të gjuhës sonë, por vazhdimin e punës për krijimin e thesarit të shqipes; këtë rol ka qendra e re e leksikografisë e themeluar me vendim të Këshillit të Ministrave e të Asamblesë”, ka thënë Gjinushi.

Fjalori sipas kryeakademikut të Shqipërisë “nuk është seleksionues ndaj dialekteve dhe krahinave në përzgjedhjen e fjalëve, të cilat janë përfshirë në fjalor vetëm sipas kritereve shkencore”.

“Respektimi i gjuhës standarde do të thotë se çdo fjalë duhet shkruar sipas rregullave të saj pavarësisht se cilit dialekt i përket”, ka thënë ai në prezantimin e fjalorit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, citohet të ketë thënë se Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është më shumë se një thesar fjalësh, duke shtuar se përmes tij do të përmbushet misioni i rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës shqipe.

“Në datën 22 nëntor, ne kujtojmë një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit. Sot, 116 vjet më pas, përmes këtij fjalori, ne vijojmë të përmbushim atë mision të rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës sonë amtare. Ky fjalor është më shumë se një thesar fjalësh. Është një dëshmi e kulturës sonë shprehimore dhe e rrugëtimit të gjuhës shqipe. Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe”, ka thënë Manastirliu.

Sipas prezantimit, vepra u projektua si një fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar korpusin / database-n a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme. Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin: 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2.5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, (1980), rreth 5.000 emërtime të pathjeshta për realie (të botës materiale dhe jomateriale), rreth 3.000 njësi leksiko-gramatikore “të fshehura”: (që nuk dalin në makrostrukturë si njësi të mëvetësishme), 11.500 njësi frazeologjike, 1.400 shprehje të huaja të paasimiluara, 1.200 shkurtesa / akronime.

“Gjithashtu, në fjalor janë ndërtuar mbi 40.000 vargje sinonimike, të cilat po plotësohen edhe më gjatë redaktimit e verifikimit të mëtejshëm që po i bëhet veprës. Vepra deri tani ka mbi 23.000.000 karaktere dhe hapësira, të cilat kthehen a konvertohen në 9.200 faqe kompjuterike ose në 10.000 faqe A4. Përmbledhtas, vepra ka gjithsej 124.000 njësi”.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Pacientët e prekur nga kanceri kërkojnë futjen terapisë biologjike në listën pozitive

Klinika e Onkologjisë është ende duke punuar për regjistrin e ri për pacientët onkologjikë, ndërsa kur do të jetë gati, nga kjo klinikë nuk...

VLEN-i dhe VMRO-DPMNE-ja me paralajmërime për fitore të mëdha në zgjedhjet lokale

Dy partnerët e koalicionit qveritar VLEN dhe VMRO-DPMNE sot përmes kumtesave paralajmëruan se në zgjedhjet lokale në tetor do të korrin fitore të mëdha,...

Krenar LLoga: Pse ish-bashkëpartiakët (s’)kanë turp ta përkujtojnë 27 Prillin dhe Ziadin Selën?

Krenar LLoga: Pse ish-bashkëpartiakët (s')kanë turp ta përkujtojnë 27 Prillin dhe Ziadin Selën?

Sela për “27 Prillin”: Ajo ditë ishte shkëndija për procese që deri atë kohë ishin të bllokuara

E Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela mbajti një konferencë të posaçme për media kushtuar 27 prillit, përcjell TV21. Sela, ndër deputetët...

Ademi: Afrim Gashi, kryeparlamentar me 1% mbështetje

Arbër Ademi përmes një shkrimi në rrjetet sociale thotë se Afrim Gashi me, siç shkruan ai, 1 për qind mbështetje, është caktuar kryepalramentar. Ademi...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu