Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti në seancën e Komisionit për marrëdhënie mes komuniteteve në Kuvend, ka kërkuar që Halil Snopçe t’i kërkojë falje asaj për siç thotë, shpifjen se gjoja Dauti ka votuar “pro” rendit të ditës ku pjesë ishte edhe ligji për branitellat. Dauti tha se ka dallim mes votimit të rendit të plotë të ditës dhe votimit për futjen e një pike konkrete në rend dite.
“Halil mos shpif! Ja faktet, kërko falje dhe pranoje turpin
Ka dallim votimi për rendin e plotë të ditës, ku ka edhe pika të tjera me interes për qytetarët dhe votimi për futjen e një pike konkrete në rend dite. Rikujtoj, gjatë propozimit për futjen e Ligjit për branitella në rend dite me procedurë të shkurtuar, ne deputetët e ASH votuam kundër, ndërsa Halil Snopçe nuk votoi kundër. Po për rendin e ditës në tërësi pastaj votuam sepse kishim pika me interes për qytetarët dhe propozimet tona. Ne edhe në trupat e tjerë dhe në seancë, për ligjin në fjalë do të votojmë kundër, por ju ku do të fshiheni përsëri, për t’i mundësuar VMRO-së shumicë më të lehtë!?”, tha Dauti