Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka thënë se rezultati që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, do të jetë më i dobët se ai që ka marrë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në vitin 2021, ku kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin marrë një numër tejet të vogël të votave.
Këto komente, Thaçi i ka bërë në një intervistë për “EuronewsAlbania”, ku foli për ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë mbështetje të hapur koalicionit opozitar të partive shqiptare “VLEN”.
“Nuk e kam shqetësimin minimal të rezultatit. Rezultati i tij në Maqedoni të Veriut do të jetë edhe më i keq sesa në Shqipëri. Të vetmin siklet që unë kam është kjo që ai me veprimet e tilla i m‘vesh fajësi Kosovës, fajësi që nuk e ka Kosova”, tha Thaçi.
Me këto veprime, sipas kreut të PDSH-së, “ai mendon se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë nivelin e pjekurisë politike, mos të hyjë edhe më thellë kulturore, se forca e tij dhe e Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Maqedonisë në raport me forcën e Evropës dhe Amerikës është zero”.
“Nuk jetojmë në shekullin XIX të romantizmit, iluminizmit… mashtrimit të njerëzve. Me një fjalë ky është një mashtrim shumë i madhe, por kam besim të madhe se shqiptarët e Maqedonsië nuk do ta pranojnë këtë”, shtoi.
I pyetur se kënd e mbështet Kurti në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, ku tha se të njëjtit i janë nënshtruar Kurtit.
“Ka një grupim politik prej 4-5 deputetësh që e quajnë veten opozitë dhe kanë qenë pjesë e qeverisjes herë pas here viteve të fundit. Ata i kuptoj se janë në gjendje të vështirë të rezultatit zgjedhor, dhe tërësisht janë nënshtruar komandës staliniste të Albinit”, potencoi ai, duke insistuar se “ai i komandon”.
Ndryshe, Kurti është përfshirë drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale (24 prill raundi i parë) dhe ato parlamentare (8 maj, së bashku me raundin e dytë të atyre presidenciale), të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë mbështetje opozitës shqiptare, koalicionit “VLEN”.
Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku. Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj, Ali Ahmeti, i cili do të garojë në zgjedhje me koalicionin “Fronti Evropian”, pjesë e të cilit është edhe PDSH-ja.
Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe kreu i BDI-së, Ahmeti. Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut. Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.
Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.
Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.
Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.