Një çerek shekulli pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zbatimi i saj mbetet i pjesshëm dhe i kushtëzuar nga vullneti politik i shumicës, vlerëson Bruno Ceka. Sipas tij, marrëveshja që duhej të garantonte barazi reale dhe një shtet funksional multietnik, është zvarritur përtej çdo afati të arsyeshëm, duke humbur gradualisht peshën e saj substanciale.
Ceka thekson se, megjithëse shqiptarët kanë shënuar hapa përpara ndër vite, këto përparime janë neutralizuar shpesh nga regresi politik dhe vetëkënaqësia e elitave. Ai nënvizon se kërkesat e vazhdueshme për “më shumë kohë” nga pala maqedonase nuk mund të justifikojnë më vonesat, ndërsa shqiptarët nuk duhet të vazhdojnë të pranojnë premtime boshe.
Sipas tij, zgjedhjet e vitit 2024 dhe ardhja në pushtet e një qeverie me retorikë të theksuar etnocentrike përbëjnë një regres të rrezikshëm politik, që cenon frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dobëson harmoninë ndëretnike dhe hap hapësirë për ndikime destabilizuese nga jashtë, përfshirë ato pro-serbe të mbështetura nga strategjitë ruse në rajon.
Ceka vlerëson se për më shumë se dy dekada shteti ka funksionuar mbi një logjikë të pabarabartë, ku barazia trajtohet si lëshim politik dhe jo si e drejtë kushtetuese. Kjo, sipas tij, ka prodhuar pasiguri politike dhe mosbesim shoqëror. Ai bën thirrje për një debat të sinqertë mbi ndërtimin e një modeli të ri politik që garanton barazi reale dhe stabilitet afatgjatë, pa cenuar integritetin territorial të vendit.
Në këtë kontekst, Ceka njofton themelimin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan për Maqedoninë e Veriut, i cili synon të krijojë një zë të organizuar dhe me ndikim ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Këshilli do të angazhohet në mënyrë strategjike në Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me organizata me ndikim në politikëbërjen amerikane për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Albanians for America, dhe mbetet i hapur për bashkëpunim me organizata të tjera që promovojnë çështjen shqiptare.
