113-vite Pavarësi, Kurti uron shqiptarët kudo në botë: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shkruan se nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë.

Kurti ka përmendur vitin 1443, kur u ngrit flamuri Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane, pastaj shumë shekuj më vonë shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë.

Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës, shkruan Kurti.

Reagimi i plotë:

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:

Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

“Kuvendi i së shtunës nuk është zgjedhor”, zyrtarja e LDK-së flet për kandidaturën e Hotit

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shpallë kadidtaurën për kryetar të LDK-së. “Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju...

33 ish-kandidatë kërkojnë hetime për zgjedhjet lokale, KQZ: Materiali zgjedhor është shkatërruar

Kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ai dhe 32 ish-kandiatë kanë dorëzuar kërkesë në Prokurorinë...

Rritet çmimi i dizelit në Maqedoni

KRRE ka sjellë vendim për përcaktimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë të derivateve të naftës dhe të lëndëve djegëse të...

Vuçiç: Trump e zbuloi realitetin, Kosova pa parime në lojën e të mëdhenjve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka folur për Forumin Ekonomik Botëror në Davos dhe zhvillimet globale. Presidenti serb, ka folur të dielën për presidentin amerikan...

Sami Azemi kujton 26-vjetorin e daljes në skenë të UÇPMB-së: Lugina nuk duhet të lihet në harresë

Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) doli në skenë në janar të vitit 2000 dhe për më shumë se një vit pati...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu